Fjalë Kyçe

Partitë shmangin shifrat për hapjen e vendeve të reja të punës

Partitë shmangin shifrat për hapjen e vendeve të reja të punës

Hapja e vendeve të reja të punës është një nga premtimet kryesore të partive politike në prag të nisjes se fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Por, për dallim nga premtimet parazgjedhore nga proceset e kaluara, gjatë kësaj periudhe, asnjë nga partitë politike nuk po jep shifra të punësimit.

Sipas kandidatëve për deputetë të partive kryesore që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, shkalla e papunësisë do të ulet përmes zbatimit të projekteve publike, por edhe mbështetjes së sektorit privat, konkretisht industrisë prodhuese.

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se shkalla e punësimit do të rritet përmes zbatimit të projekteve strategjike, siç përmend ai, projektin e Gazsjellësit, kompleksin turistik Brezovica, projektet në energji dhe nga ristrukturimi i kombinatit metalurgjik “Trepça”.

Përveç këtyre projekteve, Hamza thotë se fokus i veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së sektorit privat, deri te subvencionimi i vendeve të punës dhe normave të kredive për sektorin e prodhimit.

“Vazhdimi i reformave në politikat fiskale, jo ngarkesa të reja, jo tatime të reja, bartja e Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) në brendi e cila do të rritë likuiditetin e biznesit dhe do të zvogëlojë koston e biznesit. Eliminimin e tatimit të doganës në të gjitha imputet që përdoren në proces të prodhimit. Subvencionimin e normave të interesit për kredi që përdoren për prodhim me qëllim të eksportit, zvogëlimin e informalitetit, krijimin e fondit për punësim, ku çdo vend i ri i punës do të subvencionohet”, thekson Hamza.

Kurse, programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ofron zgjidhje për çështjen e uljes së papunësisë përmes, siç thuhet, ekonomisë konkurruese me një sektor privat dinamik që krijon vende pune të qëndrueshme.

Avdullah Hoti thotë për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja ka për synim të nisë me mbledhjen e TVSH-së brenda vendit me qëllim që të rritet likuiditeti i bizneseve. Po ashtu, sipas tij, do të hiqen monopolet, do të dyfishohen subvencionet për bujqësi, për biznese inovative e eksportuese dhe do të mbështeten bizneset që punësojnë të diplomuarit dhe gratë.

“Mbështetje të fuqishme nga shteti për bujqësi moderne dhe siguri ushqimore sipas standardeve evropiane, një ekonomi me furnizim të qëndrueshëm me energji dhe një vend ku ruhet ambienti për gjeneratën e ardhshme”.

“Një ekonomi e tillë mund t’i bëjë ballë konkurrencës globale, si dhe të jetë e gatshme për integrim në tregun e madh të BE-së. Programi qeverisës i LDK-së ofron përgjigje për këto çështje”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është në koalicion me Partinë Socialdemokrate, premtojnë se do të zbusin shkallën e papunësisë, konkretisht përmes projekteve të filluara më herët.

Gazmend Abrashi, nga ky koalicion, si projekte eventuale që mund të ndikojnë në hapjen e vendeve të punës, përmend fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, investimet në kompleksin “Trepça”, në infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe energjetike. Ai thotë se edhe mbështetja e sektorit privat nuk do të mungojë.

“Ligjin që e kemi paraparë, parasheh që TVSH-ja mos të paguhet në kufi, por të mblidhet varësisht prej metodës dhe formës si shitet në tregun e Kosovës. Sektori i teknologjisë informative (IT-së) është sektori ku shohim mundësi të përparojmë për shkak se shënimet tregojnë se eksportuesi më i madh ka qenë sektorin i IT-së, kemi shitur të ashtuquajturin mendje ose intelekt”, shprehet Abrashi.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje thotë se në planin ekonomik, synim kryesor ka luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se luftimi i këtyre dukurive automatikisht do rrisë shkallën e punësimit. Sipas saj, me luftimin e korrupsionit hapen mundësitë për zhvillimin e përgjithshme ekonomik të vendit.

Një rëndësi e veçantë, Nagavci thotë do t’i kushtohet krijimit të kushteve për inkuadrimin në biznes të të rinjve, dhënien e bursave për vajzat që studiojnë dhe përkrahje të familjeve që janë në asistencë sociale.

“Luftimi i krimit dhe korrupsionit, ofrimi i mundësive të barabarta bazuar në kritere dhe profesionalizëm, do të hapë rrugë për zhvillimin ekonomik. Dhe zhvillimi ekonomik vetvetiu do të sjell edhe përmirësimin e gjendjes socio -ekonomike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë Nagavaci.

Kurse Skënder Reçica, nga Nisma Socialdemokrate, parti kjo në koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe Partinë e Drejtësisë, thotë se shkalla e papunësisë është e lartë dhe kjo do të zbutet përmes projekteve nacionale që do të zbatojë ky koalicion në rast të marrjes së pushtetit. Ai thotë se prioritet do t’u kushtohet personave që janë të regjistruar në zyrat e punësimit, e që sipas tij, janë më shumë se 110 mijë punëkërkues.

“Për këtë, ne kemi programe të veçanta, masa aktive të tregut të punës, aftësimi dhe riaftësimi profesional i tyre, ndryshimi i klimës së të bërit biznes më qëllim që të kemi një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm. Në planprogramin tonë e kemi bujqësinë që t’i jepet prioritet dhe ekonomisë prodhuese. Kjo do të ndihmojë që kontingjentin aktual të papunëve t’i akomodojmë”, thekson Reçica.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në nivel vendi në Kosovë, është 25.3 për qind. Niveli i papunësisë është më i lartë te gratë me mbi 32 për qind, krahasuar me burrat që sillet në rreth 23 për qind. Kurse, shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeç me rreth 50 për qind.