Fjalë Kyçe

Pas përplasjeve NISMA-AAK, Haradinaj e pret në zyrë Fatmir Limajn

Pas përplasjeve NISMA-AAK, Haradinaj e pret në zyrë Fatmir Limajn

Vetëm pak ditë pas përplasjes ndërmjet Muharrem Nitajt të AAK-së dhe Haxhi Shalës së NISMA-së, dhe pas raportimeve për ftohje të raporteve mes dy partnerëve të koalicionit, kryeministri Ramush Haradinaj njëherit edhe kreu i AAK-së e ka pritur në kryeministri, kreun e NISMA-s, Fatmir Limajn.

Ndonëse nuk kanë zbuluar shumë detaje nga takimi, Haradinaj ka thënë se kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike.

“Takim pune me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe për të bashkërenduar agjendën qeverisëse”, ka shkruar Haradinaj.

Përplasja ndërmjet dy deputetëve të dy partive kishte nisur kur Muharrem Nitaj kishte thënë se po flitet që NISMA do t’i bashkohet PDK’së.

Ndaj këtyre fjalëve kishte reaguar deputeti i NISMA-s, Haxhi Shala, i cili kishte thënë se “veç në Kosovë ndodh që një deputet shërbehet me fjalë të çarshive”.

Ndryshe NISMA e Fatmir Limajt është shprehur e gatshme që të bisedojë me opozitën edhe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka thënë shefi i deputetëve të NISMA-së, Bilall Sherifi.