Fjalë Kyçe

Përçarje në zgjedhjet e brendshme në LDK dhe në PDK

Përçarje në zgjedhjet e brendshme në LDK dhe në PDK

Dy partitë më të mëdha parlamentare, LDK-ja dhe PDK-ja, kanë nisur procesin e brendshëm zgjedhor, i cili po karakterizohet me pakënaqësi dhe me përçarje nëpër degë partiake, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Procesi zgjedhor në partinë e Kadri Veselit (PDK) është raportuar se ka nisur me pakënaqësi në degën e Gjilanit, të Istogut dhe të Skenderajt, përderisa në LDK kanë filluar polemikat mes kandidatëve potencialë për kryetar të partisë.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka mohuar se në zgjedhjet e brendshme të partisë së tij ka përplasje ose pakënaqësi. Reçica i ka quajtur këto zgjedhje si demokratike dhe të rregullta. “PDK-ja është në zgjedhje të brendshme, ato janë duke u zhvilluar në bazë të programit tonë dhe janë duke u zhvilluar me intensitetin më të madh të mundshëm. Patjetër se brenda zgjedhjeve ka një garë, e cila është duke u zhvilluar dhe deri më tash kemi përmbyllur mbi 50% të zgjedhjeve në nëndegë e në 14 degë janë përmbyllur ato dhe janë zgjedhur kryetarët”, ka theksuar ai.

Ndërkohë duke i komentuar përplasjet mes anëtarëve të degëve në Gjilan e në Skenderaj, Reçica ka thënë se këto përplasje nuk kanë qenë serioze. “Nuk kanë qenë probleme serioze. Në Gjilan nuk ka pasur përplasje, as në Skenderaj, por ka qenë situata për të cilën nuk ia ka vlejtur ne të merremi me to. Nuk ka ndonjë përplasje ose ndonjë konflikt, ka një konkurrencë, vullnet dhe dëshirë të kandidatëve që të jenë sa më të mbështetur dhe sa më mirë të pozicionuar. Zgjedhjet janë duke u zhvilluar në një frymë demokratike dhe në një garë të vërtetë”, ka potencuar Reçica.