Fjalë Kyçe

Pjetër Ndrecaj mohon fajësinë, thotë se nuk i vrau gruan dhe vajzën me dashje

Pjetër Ndrecaj mohon fajësinë, thotë se nuk i vrau gruan dhe vajzën me dashje

I akuzuari për vrasje të rëndë, Pjetër Ndrecaj, në seancën e parë pas kthimit të rastit në rigjykim, është deklaruar i pafajshëm.

Në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ka thënë se pranon fajësinë.

“Jo, unë nuk e pranoj fajësinë, nuk kam shku me vra me dashje”, ishin fjalët e të akuzuarit Ndrecaj.

Më pas, meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar që të mbahet më 14 tetor 2019, në ora 10:00, derisa i ka njoftuar palët se deri atëherë mund t’i paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, e kishte dënuar Ndrecajn me 24 vjet burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, kishin bërë ankesë të gjitha palët, përderisa Prokurori i Shtetit dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar burgim të përjetshëm, mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë.

Por, më 1 mars 2019, Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Në komunikatën e Gjykatës së Apelit thuhej se veprimet e të akuzuarit Ndrecaj janë ri cilësuar si “vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm.

Sipas Apelit, gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër se ato lehtësuese.

Mirëpo, më pas Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer rastin në rigjykim, duke prishur kështu vendimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit.

Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së  viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë.