Fjalë Kyçe

Plagoset duke gjuajtur me armë, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës në Deçan, ka marrë informacion se dje rreth orës 17:00, një person i plagosur fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në në Deçan e pastaj për shkak të lëndimeve më serioze personin e lënduar e kanë dërguar në spitalin rajonal në Pejë për trajtim të mëtutjeshëm.

Menjëherë policia u është përgjigjur rastit me ç’rast ka evidentuar se personi i lënduar në këtë rast është, D.T. i lindur më 1986.

Personi i lënduar sipas mjekëve në spitalin rajonal të Pejës është i plagosur nga arma e zjarrit në pjesën e fytyrës (hundë) por që pas intervenimit mjekësor, i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

Nga hetimet fillestare në koordinim të plotë me prokurorin e Prokurorisë themelore në Pejë, është gjetur se personi i lënduar në këtë rast së bashku me personin e dyshuar, N. T. i lindur më 1978 kanë qenë duke gjuajtur me armë zjarri në shenjë ilegalisht në bjeshkën e Isniqit të quajtur Pleqe.

Përndryshe, lidhur me këtë rast dy personat e lartcekur janë trajtuar si të dyshuar për veprën penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa rasti është duke u hetuar nga sektori i hetimeve stacioni policor në Deçan në koordinim të ngushtë me prokurorinë themelore në Pejë, Departamenti për krime të rënda.