Fjalë Kyçe

Problemet e çiftit e lënë pa shkollim djalin e tyre 8-vjeçar në Pejë

Problemet e çiftit e lënë pa shkollim djalin e tyre 8-vjeçar në Pejë

Një grua nga qyteti i Pejës, nënë e dy fëmijëve, e ka raportuar në polici ish-burrin e saj.

Thotë se ai ia rrëmbeu djalin 8-vjeçar, duke e nxjerrë nga shkolla për ta dërguar pastaj në Prizren. Me rastin është duke u marrë policia e Kosovës.

Babai po e kërkon atësinë mbi djalin. Thotë se ish-gruaja e tij nuk është e aftë për përkujdesje ndaj dy fëmijëve që çifti i kanë.

GENTIANA HASANI

D.Kuzhnini, 8-vjeçar, nuk mundi që t’i kryejë të gjitha orët mësimore gjatë ditës së hënë. Atij iu ndërpre mësimi nga i ati, i cili u tha drejtuesve të shkollës ‘Xhemail Kada’, të Pejës, se duhet urgjentisht duhet që ta marrë djalin nga shkolla.

Por, nëna e 8-vjeçarit nuk kishte qenë në dijeni se ish-burri i saj ia ka marrë djalin. Me të kaluar disa orë, ajo rastin e raportoi në policinë e Kosovës, duke thënë se pa dijeninë e saj, ish-burri ia rrëmbeu djalin. Hetimet për rastin tashme i ka nisur policia e Kosovës.

Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shkollën ku tash e gati dy muaj 8-vjeçari po i vijonte mësimet. Nga shkolla deklarojnë se dje në orët e para të mesditës pranë klasës së D.Kuzhninit është paraqitur një burrë i cili kishte deklaruar se dëshiron ta marrë djalin e tij.

Mësuesja e kësaj shkolle, Elvira Syla, ka shpjeguar për Express rreth rastit.

“Ai dje në orët e pasdites erdhi te klasa, u prezantua si prindi i fëmijës. Kur doli djali nga klasa e thirri Babi, personin në fjalë dhe ne e liruam nga shkolla. Prindi na tha se urgjentisht duhet ta marrë djalin”, tregon mësuesja e 8-vjeçarit.

Mësuesja thotë se nuk i kërkoi ndonjë dokument personit në fjalë. Tutje sqaron se ai dukej se kishte përdorur alkool, në momentin kur kishte qenë në shkollë.

“I pamë reagimet e djalit dhe besuam që ishte prindi i tij. Por, ne vërejtëm se ai kishte qenë duke përdor alkool”, shpjegon tutje mësuesja e D.Kuzhninit 8-vjeçar.

Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit të sotëm në shkollën fillore të Pejës, ‘Xhemail Kada’, kanë qenë edhe zyrtarë të policisë së Kosovës të cilët kanë kërkuar detaje për këtë rast.

Kështu i tha gazetës zëvendës drejtori i shkollës, Valdet Hysenaj.

“Zyrtarët e Policisë kanë qenë në mëngjes. Për djalin në bazë të deklaratave të mësuesve ne mund të themi se është djalë i zellshëm. Këtu në shkollën tonë, ka një muaj e gjysmë që është pranuar. Ai është transferuar nga shkolla ‘Asdreni’, këtu tek ne”, sqaron zëvendës drejtori Hysenaj.

Në anën tjetër, prindi i 8-vjeçarit, N. Kuzhnini, drejton akuza të rënda ndaj ish-gruas së tij. Thotë se ajo nuk po përkujdeset për dy fëmijët e tyre, një vajzë 11 muajsh si dhe djalin 8-vjeçar.

Megjithatë thotë se djalin e mori nga shkolla pasi që kishte qenë i sëmurë.

“Djali ka qenë i sëmurë. Unë kam shku në shkollë e kam marrë edhe e kam kthy prapë. Edhe pse ajo nuk e meriton që t’ia kthej djalin sepse nuk ua jep kujdesin e duhur dy fëmijëve. Kunorë nuk kam me të. Kemi bashkejtu. E kam lanë shpinë në Prizren për të dhe kamë ardhë në Pejë. Para dy muajve jemi nda. Unë djalin e mora në Prizren. Por sot ia kam kthy nanës së tij”, thotë prindi i fëmijës.

Ndërkohë, ai thotë se djalin dëshiron që ta ketë vetë.

“Djalin dua ta kem unë. Unë probleme po kam me të 100 herë jemi nda. Tash ajo po bënë gjëra jo të mira në Pejë. Kështu që unë dua ta kem djalin. Ajo i mbyllë fëmijën disa orë pa ngrënë e pa pi në dhomë. Unë dua ta kem djalin. Policia më ka thirre dje. Djali nuk dëshironte dje që të kthehej”, sqaron prindi i fëmijës.

Ai e pranon se para se të shkonte në shkollë për ta marrë djalin kishte konsumuar pije alkoolike.

“ Nervoza bëri që të pijë alkool. E di që është dëm edhe për vete edhe për krejt. Nuk jam njeri i alkoolit por nervoza po i bën”, tregon prindi i fëmijës 8-vjeçar.

E me rastin tashmë është duke u marrë policia e Kosovës.

“Ankuesja femër K-Shqiptare ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull K-Shqiptar ka marre djalin e tyre tetëvjeçar dhe është larguar ne drejtim te panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thanë zyrtarë nga policia e Kosovës.