Fjalë Kyçe

Qeriqi tregon se si do të veprojnë në rast se Prokuroria ndal pensionet e 19 mijë veteranëve

Qeriqi tregon se si do të veprojnë në rast se Prokuroria ndal pensionet e 19 mijë veteranëve

Prokuroria Speciale ditë më parë ka kërkuar pezullimin e pensioneve për 19 mijë veteranët të cilët konsiderohen të rrejshëm deri në përfundim të procesit gjyqësor për listat e fryra. Kjo ka alarmuar shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së. Ata thonë se në ato lista ndodhen edhe shumë veteranë të vërtetë të cilët do të dëmtohen në rast se u ndalen pensionet, derisa procesi gjyqësor mund të zgjasë për kohë të gjatë. Shumë prej tyre tashmë këtë pension e kanë burim të vetëm jetese për familjet e tyre.

Prokurori special, Enver Krasniqi, ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës kur edhe është mbajtur seanca në rastin e veteranëve mashtrues, ku 10 të akuzuar për këtë rast po ballafaqohen me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.

Ai ka thënë se kjo duhet të bëhet me arsyen se “si rezultat i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet. Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Lidhur më këtë kërkesë ka reaguar edhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.

Qeriqi, për Gazetën Alo ka thënë se në këto lista janë përfshirë edhe veteranë të vërtetë dhe për këtë arsye pa marrjen e vendimit nuk bën të ndalohen pensionet.

“Në ato lista janë përfshirë edhe një pjesë e veteranëve e që kanë qenë luftëtarë. Tash së fundi kur është publikuar lista e Prokurorisë në atë listë ka edhe emra të luftëtarëve të vërtetë, ne kemi kërkuar që të gjendet një mundësi, një zgjidhje që të paktën këta luftëtarët e vërtetë që janë përfshirë në atë listë të mos u ndalen pensionet, ndërsa në anën tjetër për ata veteranët mashtrues të cilët janë, është vendim i gjykatës qëtë vendos kështu e që ne nuk ndërhyjmë në punët e gjyqësorit”, ka thënë ai.

Sipas Qeriqit, veteranët e vërtetë që janë përfshirë në listat e veteranëve mashtrues kanë bërë ankesë dhe duhet t’u jepet një mundësi.

Sipas tij, ka prej tyre që varen nga ky pension.

“Gjykata duhet ta shqyrtojë këtë listë për arsye se pjesa e luftëtarëve që janë përfshirë aty kanë bërë ankesë edhe t’u jepet një mundësi atyre, sepse ekzistojnë arkivat edhe në mënyrë që të mos i dëmtojnë shkaku i manipuluesve luftëtarët e vërtetë, sepse një pjesë e tyre janë të varur prej këtyre pensioneve dhe ky proces mund të zgjasë bukur shumë, kështu që do të dëmtoheshin në masë të madhe këta luftëtarë të cilët nuk e kanë merituar të jenë në ato lista”, ka deklaruar Qeriqi.

Ndërsa, thotë se të gjithë fajin për këto probleme që po shkaktohen me veteranë e ka Komisioni Qeveritar.

“Krejt faji që ka ardhur deri te ky problem është te Komisioni Qeveritar, pra ata janë përgjegjës që e kanë sjellë këtë gjendje dhe dikush duhet të japë përgjegjësi për arsye se edhe jemi dëmtuar si luftëtarë, është dëmtuar imazhi, dëmtohet buxheti i Kosovës edhe po përfitojnë njerëzit pa dhënë asnjë kontribut vetëm pse kanë qenë të afërt me anëtarët e Komisionit ose kanë qenë të afërt me subjektet e caktuara politike”, ka pohuar ai.

Kurse i pyetur se a do të ketë protesta nëse merret vendimi që 19 mijë veteranëve t’u ndalen pensionet, Qeriqi ka thënë se nuk e kanë diskutuar këtë çështje, duke shtuar se e drejtë do të ishte që prokuroria t’u jepte afat veteranëve të vërtetë të cilët janë përfshirë në lista të veteranëve mashtrues dhe të ofrojë dokumente për secilin.

“Çështjen e protestave nuk e kemi diskutuar, por mendoj se rruga më e drejtë do të ishte që Prokuroria dhe gjykata t’u japë një afat, të paktën një muaj, sepse nuk çon peshë, dhet’i ofrojnë ato dokumente për secilin luftëtar që është në atë listë dhe të mos u ndalen pensionet dhe procesi të vazhdojë për hetimin e veteranëve mashtrues”, ka deklaruar Qeriqi.

Kurse, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se kjo kërkesë e ka qenë tronditëse për të gjithë veteranët.

Sipas tij, një kërkesë e tillë është thirrje për trazira.

Numri i veteranëve që marrin pagë nga buxheti i shtetit ka kaluar mbi 60 mijë./Gazeta Alo/