Fjalë Kyçe

Ramadani: Kudo të shkonte Driton Kuka skena politike do të duhej t’i duartrokiste

Ramadani: Kudo të shkonte Driton Kuka skena politike do të duhej t’i duartrokiste

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se aderimi në AAK i trajnerit kosovar të xhudos, Driton Kuka, tregon se ai dhe njerëz të tjerë e kanë qartësuar të ardhmen e tyre.

Sipas tij AAK po rritet me figura si Kuka për shkak të qëndrimeve të Ramush Haradinajt për tema të mëdha, si taksa ndaj produkteve serbe, njofton Klan Kosova.

“Jo vetëm ky rast. Aderimi i Dritonit që është një prej sportistëve që ka shënuar histori edhe si sportist edhe si trajner tregon që njerëzit që e duan Kosovën 100 përqind shtet e kanë qartësuar adresën”.

Sipas tij kritikat pas aderimit të Kukës në AAK janë qesharake.

“E para secili njeri ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e vet, nuk po flasim për njerëz pa kontribut. Kudo të shkonte skena politike është dashur t’i duartrokas. Ka ardh koha që njerëzit t’i qartësojnë qëndrimet e veta, pozicionin përballë qasjeve armiqësore”.

“Është rezultat i punës së madhe që ka bërë Kryeministri Haradinaj me shumë vështirësi të brendshme dhe të jashtme dhe pozicione jo të qëndrueshme të partnerëve politikë në Kosovë. Njerëzit po tejkalojnë veten si rasti i Dritonit. Po flasim për një personalitet të shquar, që nuk i mungon personalisht asgjë, por synon ta forcojë grupin, partinë shtetin, 100% shtet”.

“Njerëzit e përkushtuar, sporti dhe politika kanë element të përbashkët, përkushtimin – pasionin për ta arrit më të mirën”.