Fjalë Kyçe

Rozafa Ukimeraj vazhdon në postin e sekretares edhe pse i ka kaluar mandati

Rozafa Ukimeraj vazhdon në postin e sekretares edhe pse i ka kaluar mandati

Rozafa Ukimeraj vazhdon të jetë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Pushtetit Lokal, ani pse mandati 3-vjeçar i ka përfunduar më 16 shtator.

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe pamundësia që Qeveria të marrë vendime, ka krijuar këtë situatë, raporton KTV.

Ukimeraj thotë se ushtrimin e funksionit të sekretares ia mundëson Ligji për Procedurën Administrative dhe praktika e krijuar sipas opinionit të Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit të vitit 2014.

Rozafa Ukimeraj, e vetmja grua Sekretare e Përgjithshme, thekson se sipas “konfirmimit me heshtje administrative”, ushtron mandatin e sekretares me kompetenca të plota.

KTV-ja ka kërkuar sqarime për këtë situatë të krijuar edhe nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Administratës Publike, por asnjëra prej tyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, ministrja e Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që Ukimeraj të marrë edhe një tjetër mandat.

Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ukimeraj ishte emëruar në shtator të 2016-s, nga kabineti qeveritar i udhëhequr nga Isa Mustafa.