Fjalë Kyçe

Shefi i burgjeve akuzohet për presionin që bën ndaj ish-kandidatit për drejtor

Shefi i burgjeve akuzohet për presionin që bën ndaj ish-kandidatit për drejtor

Ish-kandidati për drejtor të burgjeve të Kosovës, Ali Gashi, po e vazhdon betejën për këtë pozitë.

Ai, fillimisht u ankua në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, çka bëri që të anulohej ky konkurs, por tani është në pritje të një përgjigjeje edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, raporton KTV.

Gashi thotë se, përmes një shkrese, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me urgjencë, por ende nuk është ftuar nga Gjykata.

Gashi, i cili udhëheq me Drejtorinë e Trajtimit të të Burgosurve dhe të Miturve në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka pasur presione të shumta.

Sipas tij, presionet kanë ardhur nga drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi, i cili dy herë e ka ftuar atë në zyrë dhe i ka kërkuar që të tërhiqet nga gara.

Gashi akuzon Thaçin se, që nga koha që udhëheq Shërbimin Korrektues, nga dy sektorë sa duhet t’i ketë drejtoria të cilën e udhëheq, janë shtuar edhe dy të tjerë.

Krejt kjo, siç thotë ai, është bërë që drejtori Thaçi t’i rehatojë njerëzit e tij.

Këto ankesa e kanë habitur drejtorin e Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi, i cili ka thënë se ky mund të jetë keqkuptim.

Thaçi, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se kjo s’ka të bëjë asgjë me të, por me konkursin e hapur nga Ministria e Administratës Publike.

Televizioni e ka pyetur edhe Zyrën për Informim të gjykatës se kur do ta trajtojë këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

MAP-i, ndërkaq, e kishte konsideruar të ligjshme zgjedhjen e Nehat Thaçit.