Fjalë Kyçe

Sot rifillon mësimi në të gjithë vendin

Pas ndërprerjes së grevës nga Sindikatat e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot nis mësimi në të gjitha shkollat në vend.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj të premten në një konferencë për media me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj pas tre javësh grevë, që nga 14 janari ka konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje dhe fillimin e mësimit të hënën.

Jasharaj kishte thënë se marrëveshja e re ofron shumë afër kërkesave të tyre.

“…Marrëveshja e re është një lëvizje e re dhe na ofron shumë afër kërkesave tona”, tha ai.

Jasharaj ka treguar se në marrëveshje nuk është përfshirë rritja e koeficientit prej 30% siç kanë kërkuar, mirëpo është afër kësaj përqindje.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se është i lumtur që nxënësit nga e hëna do t’u kthehen shkollave.

“Gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat dhe ashtu siç kemi premtuar me kryeministrin do të mbajmë premtimet që të jemi afër tyre, e po ashtu edhe për sektorët tjerë siç janë policia, shëndetësia, artistët etj”, tha Veseli.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka folur rreth Ligjit për paga, një ligj që e kanë pritur dhe që nuk e kanë pasur, pra pas 20 vitesh.

“Unë jam i vetëdijshëm që përgatitja për këtë ligj dhe puna që ka ndodhur rreth këtij ligji ka shqetësuar të gjitha kategoritë që paguhen nga buxheti. Ne nuk i kemi keqkuptuar asnjëherë shqetësimet e tyre por i kemi mirëpritur ato shqetësime”, ishte shprehur Haradinaj.

“Është e ditur që qeveria e vendit është e interesuar t’iu japë përgjigje të gjitha kategorive e që paguhen prej buxhetit. I kemi edhe sfidat por që ju siguroj se do të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë”, tha ai.