Fjalë Kyçe

Thaçi thotë se nuk ra në grackën e komikëve rusë

Thaçi thotë se nuk ra në grackën e komikëve rusë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, teksa ka folur për rastin e dy komikëve rus të cilët kanë zhvilluar telefonata me krerë shtetërorë duke u shtirur si president të vendeve të ndryshme e edhe si Sekretari i NATO’së, ka thënë se ka pasur përpjekje para shtatë muajsh nga të njëjtët që të bisedojnë edhe me të, por thotë se fal kabinetit të tij nuk ka rënë në një grackë të tillë.

“Mashtruesit – që kanë rënë pre e tyre të tjerët – kanë provuar të depërtojnë edhe në zyrën time. Por është fat se këtu në Presidencë ka pasur kujdes maksimal”, ka thënë Thaçi në konferencë për media.

Kreu i shtetit thotë se asnjë telefonat nuk mund të mbërrijë në zyrën e tij, pa u lidhur me dikë nga kabineti i tij, derisa ka treguar detaje se si dy komikët rus kishin provuar që ta telefonin dhe vetë Thaçin.

Ai ka falënderuar kabinetin e tij që kanë qenë të kujdesshëm sa i përket këtij rasti.

“Unë nuk mund bisedoj me dikë pa i ditur temat dhe pa u lidhur kabineti im me me atë të atij që dëshiron të bisedojë me mua. Ka qenë para 7-8 muajsh kjo përpjekje e tyre për t’u lidhur me mua dhe falënderoj Kabinetin tim që kanë qenë shumë të kujdesshëm në këtë drejtim”, ka shtuar tutje Thaçi.

Megjithatë as kabineti e as presidenti Hashim Thaçi nuk ishin treguar të kujdesshëm kur kishin rekrutuar për këshilltar, Branislav Nikoliqin, spiunin dhe agjentin e BIA-s serbe, i cili kishte qëndruar në pozitën e këshilltarit të presidentit nga viti 2016.

Pas raportimit të T7 për këtë skandal, Thaçi e kishte shkarkuar Nikoliqin nga posti i këshilltarit të tij, me arsyetimin se nuk kishin pasur informacione paraprake nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media.Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme z. Nikolic në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare.Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, z. Branislav Nikolic”, thuhej në njoftimin e Presidencës për shkarkimin e Branislav Nikoliq.

Pre e komikëve rus ka renë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.