Fjalë Kyçe

Tre persona grabisin 300 mijë euro

Tre persona grabisin 300 mijë euro

Familja e 2 të moshuarve Shabani në Fushë Milot përjetoi momente tmerri mbrëmjen e së martës.

3 persona të maskuar dhe që u prezantuan si policë hynë në shtëpi dhe sipas familjarëve grabitën 300 mijë euro dhe sende me vlerë që ndodheshin në kasafortë.

Në momentin e grabitjes në banesë ka qenë vetëm e zonja e shtëpisë. Autorët i thanë se po kërkonin djalin e arratisur nga burgjet italiane.

“Erdhën të tre dhe isha duke bërë një byrek. Ku e ke djalin? Hyri njëri, jemi prej Tirana tha, të ka dalë djali nga burgu, ku e ke futur, e ke këtu? Tre persona pashë unë që këtu. Pastaj më morën mua, më futën nëpër dhoma dhe më thonin ku e ke futur djalin. I thashë për Zotin djali është në burg. Jo thanë, djali ka ikur, ku e ke futur. Ku e ke strehuar? Pastaj mbrapa hynë duke kërkuar andej, ku i ke armët më thonin se ka djali armë. Nuk e di i thashë, ne jemi gra, i mbajnë burrat armët nuk i mbajnë ne. I kallëzova mbrapa kalajmave dhe erdhën. Ne kujtuam se ishte policia ata kishin qenë duke vjedhur”.

Lekët e familjes Shabani mbaheshin në një kasafortë në dhomën e gjumit.

“Sharruan lekët që kanë qenë atje brenda në kasafortë. Kanë marrë edhe plaçkat e nuses. Kasafortën e kanë hequr nga muri dhe e kanë marrë. Kanë marrë lekët e tokës, kanë ditur sikur janë lekë dhe i kanë marrë të gjitha, i kanë bërë grumbull dhe i kanë marrë me vete”.

Sipas dy të moshuarve, lekët që u grabitën nga tre autorët ishin kursime të fëmijëve emigrantë.