Fjalë Kyçe

Veseli: Buxhovi, një fosil që s’i ndihmon qartësimit të së vërtetës për vrasjet e pasluftës

Veseli: Buxhovi, një fosil që s’i ndihmon qartësimit të së vërtetës për vrasjet e pasluftës

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”. Kjo deklaratë e Jusuf Buxhovit, njërit prej themeluesve të LDK-së, e dhënë në Rubikon të KTV-së, ka ngjallur reagime të shumta.

Së fundmi ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se “personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe”, duke iu referuar Buxhovit, “është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, para disa ditësh, historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, tha në një intervistë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë, tha ai, ka elementë të papastër. Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të LDK-së. Çfarë po bëjnë institucionet për të ndriçuar këto vrasje? Është një problem shqetësues në Kosovë.

Veseli: Është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund. Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqij të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës …

Zëri i Amerikës: Ai ka thënë megjithatë që lufta ishte një faqe e lavdishme…

Veseli: …pavarësisht, mund të ketë pasur edhe gabime, por varet se nga kush vjen, nga personi. Për të folur në këtë pjesën, në shtet ligjor. I pamëshirshëm do të jem ndaj gjithë atyre që kanë thyer ligjin dhe kanë bërë gabime, qoftë gjatë lufte, qoftë pas lufte. Por në të njëjtën kohë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje ato kur të dojë.