Fjalë Kyçe

Vozitësit në Prishtinë ankohen për kolona të gjata

Vozitësit në Prishtinë ankohen për kolona të gjata

Të gjata vazhdojnë të jenë kolonat e automjeteve në pjesë të ndryshme të Prishtinës.

Edhe disa muaj pas publikimit të Planit të Mobilitetit, i cili parasheh rregullim të transportit publik dhe shkarkim të rrugëve nga automjetet e shumta, gjendja në realitet duket të mos ketë ndryshuar.

Është ora 17 dhe bashkë me pasditen, në kryeqytet janë kthyer edhe kolonat e zakonshme. Kjo gjendje, më së shumti telashe po u shkakton drejtuesve të automjeteve, raporton KTV.

Ata ankohen se pritjet e gjata janë bërë të padurueshme.

Në komunë thonë se komunikacioni do të shkarkohet gradualisht me realizimin e masave që kanë nisur për rregullimin e transportit publik. Sipas tyre, Plani është miratuar në fund të korrikut nga Kuvendi dhe tashmë janë ndarë 10 milionë eurot e para për realizimin e tij.

Tutje, plani parasheh që në hyrje të qytetit të ndërtohen vendparkingje për automjetet që vijnë nga komunat tjera. Drejtuesit e tyre, për të hyrë në qendër duhet të përdorin mjetet e transportit publik.

Eliminimi i tollovive, sipas ekspertëve të komunikacionit, mund të bëhet përmes shtimit të rrugëve njëkahore.

Duke iu dhënë përparësi banorëve të qendrës, Plani i Mobilitetit rekomandon çmime më të larta parkingu për banorët e periferisë ose të banorëve që vijnë nga komunat e tjera për të punuar në Prishtinë.