Fjalë Kyçe

Vrasja e dyfishtë në Deçan, ja çfarë thotë dëshmitari

Vrasja e dyfishtë në Deçan, ja çfarë thotë dëshmitari

Dëshmitari Ramë Ramaj, ka thënë se kishte parë babë e bir, tani të akuzuarit Sali dhe Durim Lushaj, me armë në duar, derisa dy vëllezërit Burim dhe Rexhep Ramaj, sipas tij, ishin të shtrirë në tokë.

Një deklaratë të tillë, dëshmitari Ramë Ramaj e ka dhënë gjatë seancës së rigjykimit, e cila po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Pejë, ku për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, po akuzohen Sali Lushaj dhe Durim Lushaj.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë më 14 prill të vitit të kaluar, të akuzuarin Durim Lushaj e kishte dënuar me dënim unik prej 25 vjetësh burgim, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, kurse Sali Lushaj, ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 18 vjetësh burgim, për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtjes pa leje.

Kurse, Gjykata e Apelit, më 3 korrik të vitit të kaluar, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Durim Lushaj dhe Sali Lushaj si të bazuara, dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale dhe vërtetimin jo i plotë të gjendjes faktike.

Në seancën e së martës, dëshmitari Ramaj, ka thënë se kur kishte dëgjuar një britmë të një fëmije, me vrap kishte dal në rrugë në të cilën, sipas tij, ka parë Burim dhe Rexhep Ramaj të shtrirë, kurse dy të pandehurit Lushaj me armë në duar.

Ky dëshmitar, ka deklaruar se dy orë para vrasjes kishte takuar tani të pandehurin Durim Lushaj, në lidhje me disa kamera të familjes Ramaj, të cilat sipas dëshmitarit, e kishin incizuar të pandehurin Sali Lushaj, duke thyer një autobus.

“Kam qenë duke u kthyer në shtëpi në ora 5 të ditës kritike, dhe ka ardhë Durimi me kerr, është ndal të dera e oborrit tim dhe më ka thënë “Pse ja ki dhënë kamerat policisë”, unë i thash se policia kamerat i ka marrë vetë. Dhe, më pas Durimi më ka thënë se “unë sonte kam mja kajt nanën dikujt”, tha dëshmitari Ramaj.

Ai tha se kamerat e vendosura në familjen Ramaj, kishin incizuar të pandehurin Sali Lushaj duke e thyer autobusin e dëshmitarit Dervish Lushaj.

Lidhur me këtë dëshmitar, kishte vërejtje mbrojtësja e të akuzuarit Sali Lushaj, avokatja Kosovare Kelmendi, sipas së cilës, dëshmitari në gjykimin e kaluar kishte qenë pjesë e publikut gjatë dëshmive të dëshmitarëve, me ç’rast, sipas saj, deklarimi i tij është i njëanshëm dhe jo objektiv.

Një dëshmitar tjetër, i cili është dëgjuar gjatë kësaj seance, ishte Metë Ramaj, i cili deklaroi se ishte në afërsi me të pandehurit, e gjithashtu edhe me viktimat e këtij rasti.
Edhe pse pas refuzimeve për tu përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, Sali Berisha, dëshmitari Ramaj tha se në ditën kritike kishte parë të pandehurin Durim Lushaj kur kishte shtënë me armë, tek tani i ndjeri Rexhep Ramaj.

Kurse, për të pandehurin Sali Lushaj, dëshmitari tha se kishte qenë duke u kacafytur me tani të ndjerin Burim Ramaj.

“Si jam dal prej shtëpisë së Ramës e kam parë tollovinë dhe e kam nda Durimin dhe i kam thënë heke këtë dreq revole se ia sheh sherrin. Unë e kam larguar Durimin se ka qenë te kerri, kurse në atë moment unë vetimthi e kam parë Sali un duke u kacafytur me Burimin. Mirëpo, nuk jam i sigurt kush ka pas allti Sali u apo Burimi. Më pas ka ardh Rexhepi me vrap me i nda, kurse Durimi ka gjujt në Rexhepin”, tha dëshmitari Ramaj.

Ai deklaroi se nuk e kishte parë se cili e kishte vrarë tani të ndjerin Burim Ramajn, pasi sipas tij, ai ishte duke shkuar të shtëpia e tij për ta marrë veturën për të dërguar Rexhep Ramajn në spital.

Lidhur me faktin, nëse dëshmitari Ramaj e kishte parë të pandehurin Sali Lushaj të ketë pasur armë në ditën kritike, u bënë ballafaqime nga ana e prokurorit Haxhi Sinanaj dhe avokates Kosovare Kelmendi.
Në dëshminë e tij të dhënë në shqyrtim e kaluar, pas ballafaqimit nga prokurori Sinanaj dhe avokatja Kelmendi, dëshmitari kishte thënë se kishte parë të pandehurin Sali Lushaj me armë në dorë, siç kishte deklaruar, edhe se i pandehuri Sali Lushaj kishte armë, por nuk e kishte parë.

Lidhur me këtë fakt, kryetari i trupit gjykues Sali Berisha kërkoi nga dëshmitari të sqarohet se a kishte parë apo jo, të pandehurin Sali Lushaj, me armë në dorë.

“Saliu ka patur allti, por se kam parë tu e vra”, tha dëshmitari Ramaj.

Avokatja Kosovare Kelmendi, kishte vërejtje ndaj deklarimeve të dëshmitarit duke thënë se po trajtohet si dëshmitar i privilegjuar, pasi sipas saj, ai nuk përgjigjej në pyetje të saj duke i thënë se “mos mban nervoz me këto pyetje”.

Për këto deklarime të avokates Kelmendi, gjykatësi Berisha i dha vërejtje.

Kurse, dëshmitari Veton Kelmendi, i cili ishte hetues policor, ka dëshmuar lidhur me atë se çfarë kishte dëgjuar në bisedën e zhvilluar mes të pandehurit Sali Lushaj dhe mbrojtësit Haxhi Çekaj.

“Kam dëgjuar se i pandehuri Sali kishte thënë se s’kishte mundur të përdorte armën e tij sepse tani të ndjerit ia kishte nxjerrë nga duart dhe po me atë armë ia kishin shkaktuar lëndimet që kishte”, tha dëshmitari Kelmendi.

Në pyetjen e mbrojtëses së të pandehurit Sali Lushaj, avokates Kosovare Kelmendi, se a ishte e lejuar të dëgjohet dhe të zbulohet biseda mes mbrojtësit dhe të pandehurit, dëshmitari tha se biseda ishte e lirë dhe jo formale dhe sipas tij, atë e kishin dëgjuar të gjithë.

Në këtë gjykim, është dëgjuar edhe hetuesi tjetër policor, Riza Mahaj, i cili tha se të pandehurit Sali Lushaj nuk i ishte bërë ekzaminimi i duarve për gjetjen e barutit, pasi sipas tij, i pandehuri në spitalin e Gjakovës ishte lejuar t’i lante duart dhe t’i hiqte rrobat.

Në pyetjen e prokurorit Haxhi Sinanaj se ku e kishte kuptuar hetuesi Mahaj se i pandehuri kishte larë duart, dëshmitari tha për këtë e kishte njoftuar Policia e Gjakovës.

Seanca e radhës është caktuar më 19 qershor 2019, duke filluar prej orës 10:00.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë më 14 prill të vitit të kaluar, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar të akuzuarin Durim Lushaj me dënim unik prej 25 viteve burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtës pa leje, dhe Sali Lushajn me dënim unik në kohëzgjatje prej 18 viteve burgim, për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtjes pa leje.

Kurse, Gjykata e Apelit më 3 korrik të vitit të kaluar, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Durim Lushaj dhe Sali Lushaj si të bazuara, dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale dhe vërtetimin jo i plotë të gjendjes faktike.

“Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje eseanciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 e që lidhet me nenin 370 par.6 dhe 7, e të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike”, theksohet në vendim e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej, Komuna e Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, ka privuar nga jeta Rexhep Ramaj me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn, akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramaj e Mustafë Ramaj.

Që të dy akuzohen nga ana e prokurorisë për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje.