Fjalë Kyçe

Një lidership i ri për një qeverisje të re!

Një lidership i ri për një qeverisje të re!

Shkruan: Ilir Ejupi

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, tash e 20 vite, Kosova është përmalluar vetëm me ndërrim të pushteteve që në parim nuk kanë asnjë dallim në mënyrën se si e shohin dhe konceptojnë pushtetin e shtetin. Gjendja politike, ekonomike e sociale në të cilën gjendet shteti ynë, pakënaqësitë e shumta, mosbesimi dhe irritimi ndaj klasës politike të një vendi, humbja e besimit tek institucionet, ikja e të rinjëve nga vendi etj, shtron nevojën e ndryshimeve drastike në të gjitha nivelet e qeverisjes. Marrë parasysh këtë nga shoqëria jonë duhet të burojë nevoja e shfaqjes së një alternative politike, e cila do të jetë e besueshme dhe e pranueshme me njerëz të rinj dhe intelektual, të cilët si vlerë kryesore të tyre e kanë besimin në institucionet, respektimin e ligjit dhe përgjegjesinë ndaj besimit të qytetarëve.

Në atë shoqëri ku klasa politike ekzistuese është jopremtuese dhe e provuar në qeverisje me vite të tëra dhe e cila nuk ka sjellë kurrfarë dobie për atë shoqëri, patjetër se brenda asaj shoqërie duhet të shfaqet një lidership i ri dhe i fuqishëm, pa të kaluar korruptive, me njerëz pa dosje dhe që nuk mund të shantazhohen nga askush, qoftë dhe nga ndërkombëtarët.
Një lidership i fuqishëm është në gjendje që të marrë vendime të mëdha për shtetin, duke mos vënë në pyetje pasojat që mund t’i këtë nga individë apo grupe të interesit dhe i cili do të jetë besimi e shpresa për rininë dhe gjithë qytetarët e vendit. Si domosdoshmëri e kohës, këtë lidership mund t’a sjellin vetëm njerëzit e ndershem, intelektual dhe të guximshëm, të cilët gëzojnë respekt dhe që janë të dëshmuar për të kontribuar për të mirën e vendit.

Sakrifica për vendin dhe gadishmëria për t’a mohuar vetëvetën për të mirën e përgjithshme janë elemente jetike dhe të domosdoshme, të cilat do t’a përligjnin individin i cili do t’i printe kësaj alternative politike.