Fjalë Kyçe

Papjekuria politike e shqiptarëve

Papjekuria politike e shqiptarëve

Shkruan: Daut Dauti

Gjithë ky entuziazëm për fitoren e Forumit Shqiptar në Tuz! Natyrisht që duhet të fitojnë shqiptarët. Janë shumicë. Por, u dashtë që të organizohet një mobilizim mbarëkombëtar për t’i bindur shqiptarët tuzjanë që të bashkohen dhe të votojnë për njerëzit e tyre.

Megjithatë, nëse bazohemi në statistikat e fundit të popullsisë së komunës së Tuzit, shohim se kjo është fitore jo e plotë e shqiptarëve. Statistikat tregojnë se shqiptarët përbëjnë gati 70% të popullatës në këtë komunë. Por, e kanë fituar vetëm 50% të pushtetit lokal.

Pyetja që duhet të bëhet në këtë rast është: si i mori partia e Millo Gjukanoviqit 31% të votave kur në këtë komunë nuk ka as 12% malazezë e serbë së bashku?

Përgjigjja: i mori për shkak se për këtë parti që i përfaqëson interesat malazeze, kanë votuar shqiptarët. Kjo tregon që shqiptarët, edhe më tutje, nuk kanë besim në veten e tyre. Nuk besojnë se kanë ndonjë vlerë politike.

Kjo situatë është e ngjashme me atë në Maqedoni. Në zgjedhjet e fundit shqiptarët votuan për një parti e cila i përfaqson interesat maqedone. Edhe kandidatura e Blerim Rekës e ilustron shembullin e papjekurisë politike të shqiptarëve më Maqedoni.

Dy partitë e mëdha, sidomos kjo në pushtet, nuk e përkrahin Blerim Rekën. Kjo papjekuri politike ka bërë që maqedonët t’i lidhin atllarët politikë shqiptarë në kunxhat e interesit maqedonë nga ku nuk arrihet çështja shqiptare.

Blerim Reka është kandidati më kompetent për president të Maqedonisë jo vetëm në mesin e shqiptarëve por edhe të maqedonëve. Në një situatë normale Blerimi do të duhej të fitonte. Do të fitonte nëse për te votojnë shqiptarët dhe një numër i minoriteteve apo maqedonëve.

Me rastin e kandidaturës së Blerimit dhe rezultatit të zgjedhjeve do ta shohim nivelin e pjekurisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë.