Fjalë Kyçe

Pashmangshmëria e ndryshimit të kufijve dhe mënyra për përfitime

Pashmangshmëria e ndryshimit të kufijve dhe mënyra për përfitime

Ndarjet gjeopolitike të fuqive të mëdha historikisht ishin në dëm të shqiptarëve, edhe përkundër që tani shqiptarët me përkrahjen perëndimorë janë më mirë se çdo herë në histori, prapë ndarjet gjeopolitike prekin pikat strategjike të trojeve shqiptare, gjegjësisht në Kosovë.

Historikisht pikat strategjike të trojeve shqiptare kanë qenë të lakmueshme nga fuqitë e mëdha, ku ia vlen të kujtojmë vetëm “mundësinë” që i ishte dhënë Ismail Qemajlit që të zgjidhte mes pikës së Gjakovës apo Shkodrës, dhe Kosova mbeti nën Serbinë.

Dy pika strategjike ku njërën e humbi dhe tjetrën pritet ta humbë së shpejti edhe de jure pasi de fakto nuk e kontrollon përbën bazën për ndarjen gjepolitike ndërmjet fuqive të mëdha dhe pranimin nga gjitha fuqitë e mëdha të Kosovës si shtet.

Taurus, Krime, Kopaonik

Një pikë strategjike që e kemi humbur bashkë me mbrojtjen natyrore të kufijve të Kosovës në Perëndim është Çakorri, Zhlepi dhe Kulla e që tani janë pjesë e Malit të Zi.

Një pikë tjetër që pritet ta humbim është ajo e Pançiqit bashkë me 600 hektarë vargmale të Kopaonikut, po ashtu vijë natyrore kufitare, zonë strategjike dhe turistike.

Kjo gjë të paktën publikisht dihet nga 2015, paçka askush nuk e ka marrë seriozisht nga ajo kohë.
Këtu ka filluar edhe indicia për ndryshim territoresh që është deklaruar së pari nga Serbia e cila përveç kësaj ka kërkuar edhe autonomi për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, dhe bisedime për statusin e serbëve në pjesën tjetër të Kosovës.

Mirëpo, që Kopaoniku dhe pjesa që iu dha Malit të Zi janë së pari ndarje për interesa të fuqive të mëdha, e tregon analiza më poshtë:

Rusia kërkon konsolidimin e tri pikave të saj të rëndësishme gjeopolitike ushtarake, e para është ajo në Taurus të Sirisë, gjë që e mbrojti fuqishëm edhe me ndërhyrjen e saj në Siri duke e mbrojtur regjimin e Asadit. Pika e dytë është në Krime, gjegjësisht në Sevastepol, ku Krimenë ushtarakisht e shkëputi nga Ukraina pasi kjo e fundit mori diskurs perëndimor. Pika e tretë që dëshirojnë ta përfitojnë nëpërmjet Serbisë, dhe për të mos u shkëputur apo zbuluar plotësisht nga Ballkani Perëndimor, pas humbjes së Malit të Zi, është Kopaoniku, pjesë kjo që ndan kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë. Aty gjendet edhe telekomanda ushtarake e cila shihet që është rinovuar pasi që ishte bombarduar me 1999 nga sulmet e NATO-së kundër caqeve ushtarake serbe. Ky radar ka një radius që përfshinë gjithë Mesdheun dhe përveç tjerash duke pasur radiusin rreth 3000km takohet saktësisht me hapësirën që mund të mbahet nën kontroll të radarëve nga dy pikat e tjera e gjithë Evropa dhe më gjerë.

Këto tri pika janë përballja dhe siguria për Rusinë karshi NATO-së gjë që me përfundimin edhe të çështjes së Kopaonikut, ndryshon edhe qasja e Rusisë ndaj Kosovës duke e njohur dhe duke mos vënë veto ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Lugina e Preshevës në këmbim për Kopaonikun

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe dhënia nga Kosova të Çakorrit, i mundëson NATO-së që ta shfrytëzoj atë në të ardhmen e afërt si pikë strategjike që ballafaqohet me pikën në Kopaonik.

Andaj filloj edhe fushata e ‘ndryshimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijve’ dhe si pretekst t’i jepet Kosovës një pjesë e Preshevës dhe Bujanocit që nuk kalon korridorin e dhjetë.

Sigurisht që Serbia do dëshironte më shumë, ata duan komplet veriun e Kosovës, sepse do kishin qasje në një pasuri të madhe minerare, mirëpo vështirë e pranueshme një gjë e tillë. Krejt në fund mund të dalim që Kopaoniku i jepet Serbisë nëpërmjet demarkimit dhe delimitimit të kufijve ashtu siç ka ndodhur me Malin e Zi, dhe ne pastaj mund të marrim një ulëse në OKB dhe mbesim edhe pa ndonjë pëllëmbë nga Lugina e Preshevës.

Krahu pro korrigjimit të kufijve dhe ata kundër janë shprehur më shumë me arrogancë se sa me argumente dhe strategji rreth kësaj çështje.

Nëse fuqitë e mëdha e dëshirojnë këtë korrigjim apo demarkim, procesi është i pandalshëm, por jo edhe i pandryshueshëm në të mirë edhe të Kosovës. Por si mund të bëhet kjo?

Lugina e Preshevës sot është një hapësirë që po shpopullohet vazhdimisht, hapësirë e varfër dhe Medvegja pothuajse ka mbet veç emër gati si Nishi që ishte dikur shqiptar.

Serbët andej bëjnë etnocid e kulturocid mirëpo askush nuk u mendua e as nuk dëshirojnë të mendohen që Lugina e Preshevës dhe kërkesa për bashkim me Kosovën mund të bëhet së pari mbi baza historike dhe sociologjike e pastaj gjeopolitike, ashtu siç kam argumentuar në artikullin “Inkluziviteti shqiptar dhe ekskluzitiveti serb”.

Sepse realisht serbët historikisht janë treguar përjashtues, arrogantë dhe gjenocidal me etnitë jo-serbe e sidomos shqiptarët, pra serbët janë të paaftë për të krijuar kushte për një bashkëjetesë ndërmjet etnive në mënyrë të barabartë.

Pra, duhet qasja që mbi këtë bazë historike dhe gjeopolitike, duhet të ndalohet shtrirja dhe çdo ndryshim përtej Kopaonikut, të shtrihet Kosova më kufij sa më shumë nga Lugina e Preshevës dhe eventualisht të futet nën kontroll edhe korridori i dhjetë, të marrë garanci të qarta për një anëtarësim të Kosovës shumë shpejtë në NATO, të ndërtohet një bazë e llojit të ‘BondSteel’ në veri të Kosovës dhe shumë pika të tjera.

Strategjia sigurisht duhet të përmbaj gjithmonë zingjirin e pashkëputshëm të rregullimit dhe respektimit të marrëdhënieve me Serbinë, pagimin e reparacioneve të luftës, të zhdukurit dhe shumë çështje të tjera.
Ndoshta më së miri është që të pranohet gjendja faktike dhe të bëhemi pragmatist dhe racional që të shkojmë drejt një paqe, sepse me këtë qasje dikur paqja në Ballkanin Perëndimor nuk do të i nevojitet askujt pasi kjo pjesë çdo ditë e më shumë po zbrazet.

Dëshira jonë sigurisht që është të mbajmë edhe Kopaonikun, megjithatë Kopaoniku nuk na mbron por NATO-ja dhe SHBA-ja.