Fjalë Kyçe

Takimi Haradinaj – Ahmeti, takimi që i zgjat jetën Qeverisë dhe përfiton koalicionisti në të dy qeverisjet

Takimi Haradinaj – Ahmeti, takimi që i zgjat jetën Qeverisë dhe përfiton koalicionisti në të dy qeverisjet

Pasi që Gjykata Kushtetuese në verdiktin e saj mbi përputhjen e ligjit dhe grupit negociator për dialog me Serbinë, tha se është antikushtetues, gjë që automatikisht çdo gjë në kundërshtim me kushtetutën e sojit të tillë shpërbëhet, rreziku i qartë për rënien e Qeverisë u forcua edhe më, dhe vetëm mbeti çështje e tre nënshkrimeve. Këto tre nënshkrime vështirë gjenden brenda koalicionit PAN sepse askush nuk guxon ta thyej vijën e liderit për tu pajtuar me opozitën dhe të mbetet i pandëshkuar, nëse lideri nuk ka thënë ndryshe.

Mirëpo, kur gjendja filloj tani të rëndohej pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kur edhe mundësia e shfrytëzimit të votave të Listës Serbe, filloi që dalëngadalë të pranohej, Kryeministri i vendit bëri lëvizjen e radhës.

Kryeministri për të mbajtur në anije akoma PSD-në dhe për t’i larguar nga pjesa opozitare, sot vizitoi komunën e Prishtinës, dhe nga kjo vizitë u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit për ndërtimin e institucioneve qeveritare në Hajvali të Prishtinës, dhe u nxor një deklaratë nga Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së, se nuk do të votojnë asnjë mocion për rrëzimin e Qeverisë nëse aty merr pjesë edhe Lista Serbe.

Të analizojmë këto dy çështje, por të fillojmë nga kjo e dyta se përse kjo deklaratë siguron jetën e Qeverisë Haradinaj dhe pothuajse e hedhë poshtë mundësinë e rrëzimit të Qeverisë në tetor ashtu siç kishte deklaruar Dardan Molliqaj nga radhët e PSD-së.

Më sipër, thamë që asnjë deputet nuk guxon të veproj ndryshe nga direktivat e liderit të partisë, (vetëm nëse ky i fundit thotë ndryshe), të votojë mocionin për rrëzimin e Qeverisë dhe të mbetet pa u ndëshkuar.

Andaj, edhe tri votat e mbetura janë jashtëzakonisht vështirë të gjinden, pasi nuk është edhe interesi i asnjë partneri nga koalicioni ta rrëzoj qeverinë, dhe sidomos kur një subjekt opozitar në këtë rast siguron që nuk do të përkrah asnjë mocion për rrëzimin e Qeverisë më votat e Listës Serbe, atëherë mungesa e atyre tri votave për rrëzimin e Qeverisë, bëhen pothuajse të paarritshme.

Votat e komuniteteve të tjera jo-shumicë jo-serbe nuk ka gjasa të votojnë për rrëzimin e Qeverisë, AAK-ja sigurisht që nuk voton për rrëzimin e vetvetes, atëherë opsion pothuajse i pamundur mbesin dy partneret e tjerë në koalicionin PAN.

Mirëpo, ky veprim taktik i Shpend Ahmetit dhe Ramush Haradinajt, megjithatë nuk është kaq sipërfaqësor dhe baza e saj është tek më shumë faktorë dhe tek biznesi e paraja.

Nënshkrimi i memorandumit për ndërtimin e institucioneve në Hajvali ndërmjet Kryeministrit Haradinaj dhe Kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, ofron edhe sigurinë e votave në Qeveri nga AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe përfitimi i këtij të fundit nga ana e biznesit.

Kujtojmë se renovimin e objektit të ish-Rilindjes për shfrytëzim nga Qeveria e kishte bërë kompania Mabetex e Behgjet Pacollit. Partia e këtij të fundit sot ka fuqi kruciale në Qeverinë Haradinaj në krye të shtetit dhe në Qeverisjen e Shpend Ahmetit në komunën e Prishtinës.

Ndërtimi i institucioneve në Hajvali sigurisht do të merret nga vetë ata që vijnë nga Hajvalia e që janë Pacollët dhe sigurisht që mbyllen edhe vrimat e reja të Qeverisë, për të ia zgjatur jetën kësaj të fundit.

Pra, PSD-ja mbahet në lojë me kushedi çfarë përfitimeve konkrete nga ato jashtë publikut që bëhen, Behgjet Pacolli mbahet tani mirë që të mos rrezikoj rënien e Qeverisë dhe përveç tjerash përfiton nga bizneset, Labi është rehatuar më herët, opozita mbetet e pafuqishme ta rrëzoj Qeverinë dhe në gjithë këtë humbës janë vetëm qytetarët e Kosovës ku edhe ngelet edhe më tutje zhvillimi i vendit sepse nuk ka asgjë nga ekonomia liberale e demokracia llogaridhënëse.

Pra në të ardhmen, Qeverinë mund ta rrëzoj vetëm ndonjë partner qeveritar, një kombinim i tillë si LDK – PDK – LVV apo LDK – LVV – PSD – Nisma, por edhe një përzierje e tretë mes subjekteve të përmendura. Por ka gjasa që edhe qeveria me kësi koncensionesh të vazhdueshme të shkoj deri në fund të mandatit të plotë.

Pra në Kosovë kemi shumë ‘stana’ (Devollistan, Pacollistan, etj.).