Fjalë Kyçe

Mjekët paralajmërojnë bojkot të punës për shkak të kërcënimeve

Mjekët paralajmërojnë bojkot të punës për shkak të kërcënimeve

Në një anketë të zhvilluar në vitin 2018 nga Oda e Mjekëve të Kosovës me 381 mjekë të anketuar ka dalë se mbi 78 për qind e mjekëve të anketuar kanë përjetuar ndonjë lloj sulmi, qoftë verbal ose fizik gjatë ushtrimit të profesionit. Dhuna dhe kërcënimet ndaj mjekëve nuk janë ndalur as këtë vit.

Nga Federata e Mjekëve është paralajmëruar bojkot i punës nëse kërcënimet ndaj personelit mjekësor vazhdojnë.

S.B., mjek në Spitalin e Gjakovës, më datën 25 mars të këtij viti është kërcënuar me jetë nga familjarët e një pacienteje e cila pas trajtimit mjekësor të marrë në këtë spital dhe pastaj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kishte ndërruar jetë.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se fjalori ndaj mjekut S.B. kishte qenë i rëndë e ofendues dhe se për këtë rast ishte njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Të hënën ka ardhur një paciente 34-vjeçare në Repartin e Emergjencës me gjendje të rëndë shëndetësore dhe është rekomanduar të shtrihet në Infektivë. Ajo është transferuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë. Të nesërmen ajo ka vdekur në Klinikën Infektive në QKUK. Më datën 25 mars rreth orës 10:30 familjarët e së ndjerës kanë ardhur dhe janë fjalosur me mjekët. Më shumë janë fjalosur, nuk ka pasur kërcënim me armë. Vetë fjalori ka qenë i rëndë dhe ofendues për mjekun. Nuk ka përshkallëzuar situata, mirëpo ata e kanë thirrur Policinë. Neve si mantelbardhë nuk na vjen mirë për rastet e rënda që kanë përfunduar ashtu, por ne kemi bërë të pamundurën”, ka thënë ai.