Fjalë Kyçe

“Shëndetësia publike në gjendje të rëndë, ajo private punon ilegalisht”

“Shëndetësia publike në gjendje të rëndë, ajo private punon ilegalisht”

Është femra më e votuar e koalicionit Nisma-AKR-PD, të zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit.

Nga ky koalicion, deputetë do të jenë Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj Halimaj dhe Mirlinda Sopi Krasniqi. Kjo e fundit zotohet se do të përfaqësojë zërin e qytetarëve për shëndetësi më të mirë, arsim cilësor, e fuqizim të grave të Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Mirlinda Sopi-Krasniqi nga Aleanca Kosova e Re, thotë se është angazhimi i mëhershëm politik, i cili i ka shtyrë qytetarët e vendit që t’ia besojnë votën asaj, për t’i përfaqësuar ata në Kuvendin e Kosovës.

“Po mendoj shumë që qytetarët e kanë përcjellur këtë rrugëtimin tim politik prej vitit 2013 kur veç jam zgjedhur si asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Ndoshta karakteri im, qëndrueshmëria karshi sfidave të cilat i kemi pasur si parti, por edhe si qeveri në Kuvendin Komunal të Prishtinës, dhe po besoj shumë që të gjithë njerëzit të cilët më njohin për së afërmi kanë bërë punën e vetë që të përhapet ose të luajnë atë rolin e atyre njerëzve të cilët kanë lobuar për mua”, thotë ajo.

Si mjeke me profesion, thotë se do të ketë prioritet sektorin e shëndetësisë.

Krahas kësaj, ajo ka treguar se cilat do të jenë fushat tjera  në të cilat do të fokusohet si deputete e legjislaturës së shtatë.

“Përveç shëndetësisë të cilën e kam primare dhe zotohem që do ta kem fushën kryesore me të cilën do të angazhohem në lidhje me një shëndetësi më të mirë, për të siguruar një jetë më të mirë, për mjekët dhe gjithë punëtorët shëndetësorë. Normalisht që edhe sporti është njëra nga fushat me të cilat do të angazhohem, rinia dhe gjithashtu fuqizimi i femrës. Ju e dini që edhe në këto zgjedhje pak më tepër kemi arritur që deputetet femra të marrin besimin më të madh të qytetarëve. Andaj këto janë ato aktër fushat në të cilat unë do të angazhohem fuqishëm në mandatin e ardhshëm nëse jemi në qeveri ose në opozitë, aty ku jam do të mundohem që me sinqeritet edhe me punë të angazhohem fuqishëm”, shton Sopi-Krasniqi.

Sopi-Krasniqi zotohet se kush do që do të jetë ministër i ardhshëm i Shëndetësisë, do të bashkëpunojë me të, për krijimin e strategjive të reja për mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës për mjekët dhe punëtorët shëndetësorë. Kjo me qëllim që mjekët të mos e lënë Kosovën, e të punojnë jashtë vendit.

Gjendja e shëndetësisë në Kosovë, sipas saj, në 20 vjetët e pasluftës është jashtëzakonisht e rëndë.

“Nuk është se mundemi me drejtu gishtin vetëm ndaj legjislaturës së kaluar, realisht në 20 vjetët e pasluftës nuk është punuar asgjë në stabilizimin e shëndetësisë në Kosovë. Nuk është bërë keq vetëm për dy vite edhe normalisht nuk do të ketë mundësi të rregullohet të gjitha telashet vetëm për një mandat. E rëndësishme është që të fillohet të punohet mirë në këtë mandat që po vjen kjo qeveri e re në mënyrë që të mundemi t’i sjellim gjërat në vend. Nuk janë bërë sigurimet shëndetësore, sot qytetarët tanë kërkojnë shërbime shëndetësore edhe më të thjeshta në Shkup dhe në vendet e rajonit. Shëndetësia publike është në gjendje të rëndë. Shëndetësia private po operon dhe po punon ilegalisht plot punë të tjera gjë të cilën e ka obligim MSH që të krijojë infrastrukturë ligjore si duhet”, deklaron ajo.

Derisa, PZAP ka marrë vendim për heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia, Mirlinda Sopi-Krasniqi thotë se do të pozicionohen mirë në Kuvendin e Kosovës. Ajo tregon për KosovaPress, se aktualisht AKR në bazë të rezultateve i ka vetëm dy deputetë, Behgjet Pacollin dhe kjo e fundit. Shpreson se me rinumërim të fletëvotimeve, do të jetë edhe Islam Pacolli që do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.