Fjalë Kyçe

14 ndeshje pa humbje, sa mund të zgjasë seria e Kosovës? Flet Bernard Challandes

14 ndeshje pa humbje, sa mund të zgjasë seria e Kosovës? Flet Bernard Challandes

Përfaqësuesja e Kosovës nuk di për humbje qe një jetë.

“Dardanët” nuk kanë humbur qe 14 ndeshje, duke e ruajtur pamposhtmërinë qe afro dy vjet.

Ata ishin të shkëlqyeshëm në Ligën e Kombeve, për ta vazhduar serinë pozitive edhe në kualifikimet e Euro 2020, ndërsa i kaluan pa u mposhtur edhe ndeshjet miqësore që i zhvilluan.

Por, sa mund të zgjasë kjo seri e jashtëzakonshme e ekipit Verdhekaltër?

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje të vështira në muajin gusht, kundër Republikës Çeke më 7 dhe ndaj Anglisë pas tri ditësh, më 10 gusht.

Trajneri Bernard Challandes, në një bisedë me “Gazetën Express” thotë se e di se dikur kjo seri do të ndërpritet.

Megjithatë, shpreson që ajo të zgjasë sa më shumë të jetë e mundur.

“Ne i nisim të gjitha ndeshjet për të fituar. Tash do të luajmë kundër kundërshtarëve mjaft të vështirë, posaçërisht ndaj Anglisë. Ne mund ta vazhdojmë këtë seri, por duhet të jemi realistë. Ishte një punë mjaft e mirë me ekipin deri tash, ekipi luftoi në çdo ndeshje. Ne kokën time nuk qëndron fakti se nuk mund të fitojmë apo që nuk duhet as të humbim. Ne duhet të luajmë dhe të japim gjithçka çka mundemi. Nuk është problem nëse ndërpritet seria, ajo do të ndërpritet dikur”, theksoi Challandes për “Express”.

Kosova gjendet në pozitën e tretë në Grupin A të kualifikimeve të Euro 2020 me 5 pikë nga 3 ndeshje, një pikë më pak se liderët e grupit, Anglia dhe Republika Çeke.

Gjithashtu, Kosova e Challandes është kualifikuar edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, prej nga po ashtu e kërkon kualifikimin në Evropian.