Fjalë Kyçe

“Dardanet” rrisin gjasat për kualifikim në EURO me fitoren e djeshme

“Dardanet” rrisin gjasat për kualifikim në EURO me fitoren e djeshme

Ekipi kombëtar i vajzave të Kosovës e shënoi fitoren e dytë nga tri ndeshjet e zhvilluara në kampanjën kualifikuese për EURO 2021. Tre pikët e siguruara nga fitorja 2:1 kundër Estonisë i rritën gjasat e “Dardaneve” për t’u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Evropian.

Sulmuesja 20-vjeçare Modesta Uka i shënoi të dy golat e Kosovës në përmbysjen e rezultatin në fitoren me rezultat 2:1 kundër Estonisë në Tartu, të martën në mbrëmje, transmeton Gazeta Express.

Një gol i shënuar në minutën e 57-të të ndeshjes nga një rivënie fundore ishte e mjaftueshme për t’i marrë tre pikët e ndeshjen për Kosovën, që tani i ka siguruar dy fitore në tre ndeshjet e zhvilluara në kampanjën e parë kualifikuese në histori për Kampionatin Evropian të vajzave.

Tre pikët dukeshin më pak të sigurta pas 22 minutave lojë, kur Kosova ishte duke pësuar humbje me rezultat 1:0, pasi Katrin Loo e kaloi në epërsi Estoninë me një gol nga pika e penalltisë. Portieria e Kosovës, Besarta Leci, e kishte dhënë penalltinë, pasi ndërhyrja e saj në Signy Arnan e la sulmuesen estoneze të shtrirë në fushë.

“Dardanet” u përgjigjen pozitivisht ndaj këtij deficiti, duke dominuar në posedim të topit dhe duke i krijuar dy raste të mira para se Uka ta shënonte golin e saj të parë të natën, në minutën e 42-të, shkruan Prishtina Insight. Ukës veçse i ishte pritur një goditje e fuqishme nga portieria estoneze Karin Kork, mirëpo ajo ishte e saktë në tentimin e saj të dytë nga jashtë zonës së penalltisë, duke e gjetur qoshen e largët të portës.

Goli i dytë i Ukës ishte më me fat, pasi që Kork dhe Ariina Murkhain dështuan në tentimet e tyre për ta bllokuar një harkim dhe topi përfundoi në rrjetë përderisa dy estonezet shkëmbyen shikime mosbesimi.

Përkundër që ishte në epërsi, Kosova vazhdoi të sulmojë gjatë pjesës tjetër të ndeshjes dhe pati raste për ta shënuar edhe një gol të tretë, kur goditja e Erleta Mehmetit shkoi afër portës e goditja e Besiana Recicas u mbrojt nga portieria.

Rastet e humbura nuk patën rëndësi në fund të ndeshjes, pasi gjyqtari e konfirmoi fitoren e dytë të Kosovës në ndeshjet kualifikuese për EURO 2021, pasi “Dardanet” e kishin mposhtur edhe Turqinë me rezultat 2:0 në Prishtinë në fund të gushtit.

Kosova është tani në pozitën e katërt në Grupin A kualifikues për EURO, baras pikë me Slloveninë në pozitën e tretë, që e kishte mposhtur Kosovën me rezultat 5:0 në shtator. Megjithatë, Sllovenia dhe Holanda e kanë nga një ndeshje më shumë të zhvilluar sesa Kosova, që do të thotë se vajzat e Afërdita Fazlijas mund ta ëndërrojnë pjesëmarrjen në EURO 2021.

Holanda dhe Sllovenia i mbajnë dy vendet e para të Grupit A, nga ku vendi i parë kualifikohet automatikisht për EURO 2021, ndërsa skuadra në vendin e dytë kualifikohet nëse janë ndër skuadrat më të mira të fazës kualifikuese që janë pozicionuar në vendet e dyta në grupet e tyre.

Ndeshja me Estoninë ishte planifikuar të jetë ndeshja e dytë e Kosovës në këtë rund të ndeshjeve, mirëpo ndeshja në shtëpi e Dardaneve me Rusinë më 4 tetor u shty nga UEFA për një datë më të vonshme. Kur u lajmërua shtyrja e ndeshjes, Federata e Futbollit e Rusisë tha se ndeshja ishte shtyrë për arsye sigurie.