Fjalë Kyçe

Ekspedita e bodybuildingut vizitoi KOK-un pas suksesit në kampionatin ballkanik

Ekspedita e bodybuildingut vizitoi KOK-un pas suksesit në kampionatin ballkanik

Nënpresidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Gazmend Maxhuni, dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Ramadan Selimi, kanë pritur të martën ekspeditën e bodybuildingut dhe fitnessit të Kosovës, të cilës i prinin drejtuesit e kësaj federate (FBBFK), kryetari Esat Lata dhe sekretari i përgjithshëm, Sabri Dragusha, pas suksesit të arritur në kampionatin ballkanik, të mbajtur gjatë fundjavës në Corfu të Greqisë.

Të pranishëm ishin edhe bodibilderët: Besard Maxharraj, Kushtrim Bajraktaraj, Aldon Sadiku, Flamur Gërbavci, Florent Kadrolli dhe Blerta Ibrahimi. Maxharraj e Bajraktaraj fituan medaljet e arta, Sadiku të argjendtën, ndërsa Gërbavci të bronztën, në kategoritë e tyre.

Nënpresidenti Maxhuni, i cili ishte i pranishëm në kampionatin ballkanik dhe anëtari i BE, Selimi, përcollën përshëndetjet e presidentit të KOK-ut, Besim Hasani, që ndodhet jashtë vendit, derisa u shprehën falënderues dhe krenarë për suksesin e arritur në Greqi, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për bashkëpunim edhe më të frytshëm mes KOK-ut dhe FBBFK-së.

Nga ana e tij, kryetari i kësaj federate, Esat Lata, u shpreh falënderues për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komitetin Olimpik të Kosovës, derisa falënderoi edhe nënpresidentin Maxhuni për përkrahjen që u dha garuesve gjatë qëndrimit në ballkanik.

Edhe bodibilderët u shprehën mirënjohës për pritjen dhe mbështetjen e KOK-ut, derisa premtuan se do t’i sjellin medalje Kosovës edhe nga garat e ardhshme ndërkombëtare. /Gazeta Alo