Fjalë Kyçe

FFK-ja deklarohet për incidentin në ndeshjen Vushtrria – Fushë Kosova

FFK-ja deklarohet për incidentin në ndeshjen Vushtrria – Fushë Kosova

Nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), janë deklaruar rreth incidentit në ndeshjen e Ligës së Parë në futbollin e Kosovës, ndërmjet KF Vushtrrisë e FC Fushë Kosovës.

Përveç incidentit të rëndë ku futbollistët u përleshën në fushë, në pamje shihen qartë edhe gjësendet, gjegjësisht shishet teksa hedhen nga publiku në fushën e lojës.

Tensionet vazhduan edhe në zhveshtore pas përfundimit të ndeshjes, derisa rreth këtyre incidenteve, Insporti ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Komesari i garave, Ismet Ahmeti konfirmoi se do të shikohet për eksese dhe parregullsitë e kësaj ndeshje dhe se vendimi do të bëhet i ditur ditën e mërkurë.

“Tek pasnesër pasi sot është pushim, deri sa të arrijë dokumentacioni, kur është ditë pushimi dokumentacionet shtyhen edhe për 24 orë për t’u regjistruar ndeshjet. Kurrfarë dokumentacioni nuk ka ardhur”, deklaroi Ismet Ahmeti, komesar i garave në FFK për Insporti.com

“Deri të mërkurën, do të thotë nesër dokumentacioni arrin në Federatën e Futbollit dhe të mërkurën në mëngjes ne i kompletojmë dokumentacionet dhe në bazë të personave zyrtarë që kanë qenë prezent në të gjitha ndeshjet, shikojmë ku ka pasur eksese apo diçka jo në rregull në këtë ndeshje”, konfirmoi Ahmeti.