Fjalë Kyçe

FIFA publikon renditjen përfundimtare: “Dardanët” me ngritjen më të lartë

FIFA publikon renditjen përfundimtare: “Dardanët” me ngritjen më të lartë

Faqja zyrtare e FIFA-s ka publikuar renditjen përfundimtare të kombëtareve për vitin 2018, dhe e ka theksuar se Kombëtarja e Kosovës ka pësuar ngritjen më të lartë nga të gjitha kombëtaret brenda këtij viti.

Kosova është ngritur për 46 pozita brenda një viti dhe aktualisht ndodhet e 131-ta, falë ecurisë mbresëlënëse në vitin 2018 në ndeshje miqësore e zyrtare, ku u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve dhe do të përballet me Maqedoninë – “Dardanët” janë vetëm 2 ndeshje larg “Euro 2020”, raporton Insporti.

Për shkak që në këtë muaj nuk ka pasur ndeshje të kombëtareve, pozita e Kosovës në renditje nuk ka ndryshuar nga muaji i kaluar, kur e shënoi ngritjen më të lartë ndonjëherë.

“Dardanët” nuk dinë për humbje që nga 13 nëntori i vitit 2017, kur Kombëtarja mori fitore 4-3 ndaj Letonisë pas shkarkimit të Albert Bunjakit, ndeshje që u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Pas kësaj ndeshje, drejtimin e skuadrës e mori Bernard Challandes dha ka arritur t’ia sigurojë Kosovës një ecuri prej nëntë ndeshjeve pa humbje, prej të cilave ka shtatë fitore dhe dy barazime.

Tri ndeshjet e para të kësaj ecurie ishin ndeshje miqësore dhe Kosova arriti të triumfonte në të tri këto sfida.

Fillimisht, Dardanët e nisën këtë ecuri me fitore me rezultat 1-0 ndaj Madagaskarit, pastaj vazhduan me fitore 2-0 ndaj Burkina Fasos e më pas e mposhtën 3-0 Shqipërinë.

Më pas erdhi radha për ndeshje zyrtare dhe Kosova nuk dështoi pasi “Dardanët” e përfunduan aventurën në Ligën e Kombeve si lider i Grupit 3 të Ligës D, me 14 pikë.

Kosova mori 4 fitore dhe 2 barazime, 15 gola realizoi dhe vetëm 2 i pranoi, duke e mbyllur kështu vitin 2018 pa asnjë humbje.