Fjalë Kyçe

Futbollisti i Feronikelit: Më shumë paguhemi në Kosovë sesa në Shqipëri

Futbollisti i Feronikelit: Më shumë paguhemi në Kosovë sesa në Shqipëri

Sulmuesi nga Shqipëria, Artur Magani, është ndër lojtarët më të mirë në futbollin e Kosovës, kurse tash është kampionati i dytë që luan në Kosovë.

I kontaktuar nga “Epoka e re”, Artur Magani ka folur për periudhën prej se ka ‘aterruar’ në futbollin e Kosovës, duke thënë se nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga kampionati i kaluar me kampionatin aktual.

“Gjendja është e njëjtë sikurse vitin e kaluar, po ashtu edhe niveli i një kampionati që do të jetë i luftuar deri në ndeshjen e fundit”, ka thënë Magani, i cili vitin e kaluar ishte pjesë e skuadrës së Lirisë dhe tash është pjesë e Feronikelit.

Sulmuesi i talentuar ka bërë me dije se pas përfundimit të kampionatit të kaluar kishte shumë oferta, por e bindi ajo e skuadrës nga Drenasi. Ndërsa është i lumtur edhe përkundër faktit se nuk është gjithmonë në formacionin nismëtar.

“Mbas atij viti të mirë me Lirinë kisha shumë oferta, por Feronikelin e pashë si ekipin më të mirë për të vazhduar. Sigurisht se jam i kënaqur, edhe pse në të gjitha ndeshjet nuk kam luajtur titullar. Konkurrenca që kisha te Liria dhe tash te Feronikeli ka dallim të madh”, ka shtuar ai.

Magani është i kënaqur me rezultatet e arritura me Feronikelin në sezonin vjeshtor dhe i pëlqen gara për titull të kampiones. Më pas sulmuesi shqiptar ka bërë edhe një krahasim në mes futbollit në Shqipëri dhe Kosovë. Sipas tij, shumë gjera janë përpara në Shqipëri.

“Nëse do të bëja një krahasim midis kushteve që kisha në Shqipëri dhe Kosovë, mund të them se në Kosovë paguhem më shumë dhe nëse vazhdon kështu, do të qëndroj gjatë këtu. Një dallim tjetër është se këtu kampionati duhet të përfundojë në muajin dhjetor për shkak se nuk ka kushte për të luajtur, për çka nuk jam aspak dakord. Në Shqipëri janë më përpara në shumë elemente dhe terrenet janë shumë herë më të mira se në Kosovë”, ka deklaruar Magani.

Sulmuesi ka lavdëruar edhe sjelljet e lojtarëve të Kosovës, por ka kritikuar analistët për mënyrën se si i vlerësojnë trajnerët nga Shqipëria që janë duke punuar në klubet e Kosovës.