Fjalë Kyçe

Gatusso: S’jemi në garë me Interin, më mjafton Champions-i

Gatusso: S’jemi në garë me Interin, më mjafton Champions-i

Sfida vendimtare me Olimpiakosin në Ligën e Europës, vendimi i UEFA-s dhe merkato.

Në rend kronologjik këto janë takimet vendimtare të Milanit për gjysmën e dytë të dhjetorit, por kalendari ofron edhe ndeshjet e Serisë A.

Gjithçka nis sot në ora 20:30 në “San Siro” ndaj Torinos, një ndeshje për të cilën Genaro Gatusso në konferencë për shtyp u shpreh: “Nuk është një rastësi që Torino, së bashku me Juventusin janë të vetmet skuadra që nuk kanë humbur asnjë transfertë këtë sezon”, tha ai.

“Mazarri ka ndërtuar një ekip teknik dhe fizik me individualitete të rëndësishme si Iago Falke. Nga ana jonë mund të luajmë edhe me dhjetë lojtarë ofensivë, sepse rëndësi ka mënyra sesi e mbulojmë fushën. Suson, për shembull, e kam eksperimentuar edhe në treshen e mesfushës në një formacion 4-3-3”.

Për eksperimente nuk ka nevojë trajneri kur bie fjala te Gonzalo Higuain. Argjentinasi kthehet pas skualifikimit prej dy ndeshjesh dhe duket se e ka kaluar shqetësimin në shpinë që e pati munduar në ditët e fundit.

“Gonzalo nuk diskutohet. Ai është një kampion, i cili, përveçse shembull, është dhe ndër më gazmorët e skuadrës. Mezi pret të na ndihmojë, ndaj duhet të përqendrohet te loja ekipore dhe jo vetëm te golat. Në ditët e fundit është stërvitur rregullisht dhe e ka kaluar atë sukses të vogël në shpinë që e shqetësoi që në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Dudelanzhit”.

Pas humbjes së Interit, me një fitore sot, Milani do ta gjente vetën vetëm një pikë larg kushërinjve. Në analizën e ecurisë së skuadrës, Gatuzo nënvijëzoi: “Nëse i hedh një sy aventurës sime, më duket sikur ka kaluar më shumë se një vit. Nuk ka rëndësi sa pranë Interit jemi, madje ndeshjen me Juven e shijova pa bërë tifo kundër, pasi s’jemi në garë me ta”.

“Zikaltrit më surprizuan, sepse luajtën shumë mirë dhe me rregull ndaj një ekipi që dominon Serinë A prej disa sezonesh. Personalisht nuk mendoj për vendin e tretë, pasi më mjafton që te djemtë të shoh dëshirën për të fituar dhe urinë për fitore. Dëmtimet e shumta, ndryshe nga sa mund të mendohej, na ndihmuan në forcimin e grupit. Milani duhet të shkojë në Champions, nëse arrijmë si të katërtit në renditje dhe jemi pas Interit, nuk ka problem, një pakt të tillë mund ta nënshkruaj që tani me një firmë të madhe sa tavolina”.

Tifoz kundër mbase mund të jetë Vincenco Montela, i cili gjatë javës kritikoi Gatuson për mënyrën sesi e kishte gjykuar punën e tij te Milani. Trajneri aktual kuqezi, duke folur për paraardhësin tha: “Nuk mund t’i përgjigjem gjithkujt që polemizon, pasi kohët e fundit jam përgjigjur edhe më shumë sesa duhet mbase. Montelës i uroj çdo të mirë dhe që të gjejë një punë sa më shpejt”.

Nga Montela te merkato rruga nuk është e gjatë. Edhe në këtë aspekt Gatusso rezervohet në prononcim kur i kërkohet të japë një mendim për blerjen e re, Lukas Paqueta dhe Zlatan Ibrahimoviçin, që mund të jetë përforcimi i radhës për ekipin e drejtuar prej tij.

“Nuk kam çfarë të them, Paqueta do të qëndrojë disa ditë, do të kryejë vizitat mjekësore e do të dalë të kërkojë shtëpi. Për Ibrën vlen i njëjti qëndrim. Nuk kam çfarë të komentoj. Për të pyesni drejtuesit, unë duhet të mendoj për Borinin që i dhemb kavilja e që nuk mundem ta grumbulloj”.