Fjalë Kyçe

Gratë iraniane lejohen në stadium futbolli për herë të parë në disa dekada

Gratë iraniane lejohen në stadium futbolli për herë të parë në disa dekada

Gratë iraniane do të kenë mundësi të hyjnë në një stadium futbolli të enjten për herë të parë në disa dekada, pasi FIFA e kërcënoi me përjashtim Iranin, pas politikës kontroverse për lejimin vetëm të burrave në stadiumet e futbollit.

Irani ua ka ndalur tifozeve praninë në stadiume të futbollit dhe stadiume të tjera për rreth 40 vjet, pasi që klerikët argumentojnë se ato duhet të mbrohen nga atmosfera “mashkullore” dhe nga djemtë gjysmë të zhveshur, transmeton Gazeta Express.

Organi qeverisës i futbolli botëror e urdhëroi Iranin muajin e kaluar t’ua lejojë grave qasjen në stadiume, pa kufizime dhe në numër aq të madh sa të ketë kërkesa për bileta. Urdhri erdhi pasi tifozja e njohur si “Vajza e kaltër” bëri vetëvrasje duke e vënë veten në zjarr nga frika se do të burgosej pasi që ishte maskuar si djalë për ta ndjekur një ndeshje në një stadium.

Shumë gra vepruan shpejt për të marrë bileta për ndeshjen kualifikuese në Botërorin 2022 të Iranit kundër Kambodisë, që do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Azadi”. Pjesa e parë e biletave u shit brenda më pak se një ore. Një zyrtar i Ministrisë së Sportit tha se stadiumi me kapacitet prej 100 mijë ulësesh, emri i së cilit përkthehet në “Liri”, është gati për të qenë nikoqir edhe për më shumë gra.

Njëra ndër 3500 gratë që siguroi viletë për ndeshjen ishte edhe gazetarja e sportit, Raha Poorbakhsh.

“Unë ende s’po mundem ta besoj se kjo gjë po ndodh. Pas gjithë atyre viteve duke punuar në këtë fushë, duke shikuar gjithçka në televizion, tani mund të përjetoj gjithçka drejtpërdrejt”, tha ajo për AFP.

Njerëzit në rrugët e Tehranit thanë se ata e mbështesin vendimin për t’i lejuar gratë në stadiume. “Do të më pëlqente të kishte liri për gratë sikur për burrat, për të shkuar lirisht dhe për t’u ulur afër njëri-tjetrit pa asnjë kufizim, si në vendet e tjera”, tha një grua që e identifikoi veten vetëm si Hasti.

Nader Fathi, që e drejton një biznes tekstili, tha se prezenca e grave mund të përmirësojë atmosferën në stadiume. Por, ai shtoi se “ato do të pendohen” nëse ekspozohen ndaj “sharjeve të këqija” dhe “sjelljes së pahijshme”.

Para Kupës së Botës 2022 në Katar, Irani u përball me presion nga FIFA për t’i lejuar gratë në stadiume për këtë rund të ndeshjeve kualifikuese. Përderisa në asnjë ligj nuk është përmendur që grave u ndalohet hyrja në stadiume, ky “rregull” është praktikuar në stadiumet.

Që prej revolucionit Islamik të vitit 1979, gratë kanë pasur shumë rrallë qasje në stadiumet në Iran. Rreth 20 gra irlandeze e ndoqën një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës në vitin 2011 dhe, katër vjet më vonë, disa gra iraniane u lejuan ta ndjekin ndeshjet e Iranit kundër Bahrainit.

Në tetor, 100 gra iraniane u zgjodhën për ta përcjellë në stadiumin ndeshjen miqësore kundër Bolivisë. Por, ditën vijuese, prokurori i shtetit paralajmëroi se kjo gjë nuk do të përsëritej, duke thënë se një gjë e tillë “do të çonte drejt mëkateve”