Fjalë Kyçe

Juve kishte ofruar 50 milionë euro plus “El Pipita-n” për Icardin

Juve kishte ofruar 50 milionë euro plus “El Pipita-n” për Icardin

Kur në fund të sezonit të kaluar u shfaqën zërat për një interesim të Juventusit ndaj Mauro Icardit, jo të gjithë i besuan.

Kaq e vështirë është ta mendosh lamtumirën e kapitenit nga Interi dhe kalimin e tij te rivalët historikë.

Por, e vërteta është se “Zonja e Vjetër” kishte kryer një studim eksplorues në kontekstin e gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare për Gonzalo Higuain. Një skenar që Giuseppe Marotta, tani drejtor i klubit zikaltër, nuk e ka mohuar.

“Corriere della Sera” shkruan edhe për një ofertë të bërë nga Juventusi për zikaltrit: 50 milionë euro, plus “El Pipita”, që ishte blerja më e shtrenjtë e bardhezinjve deri sa erdhi Cristiano Ronaldo, në këmbim të Mauro Icardit. Ky propozim i mbërriti klubit nga Milano, drejtuesit e diskutuan dhe më pas hoqën dorë, sepse e dinin se largimi i kapitenit do të krijonte kontestime të fuqishme te tifozët.

Sipas gruas dhe menaxheres së Icardit, Wanda Nara, klubi zikaltër u tundua në fillim, por pastaj hoqi dorë nga diçka, nga pikëpamja ekonomike, në mënyrë që kapiteni të mbetej në Milano si përparësi kryesore. Për këtë arsye, çështja e rinovimit të kontratës, që i përfundon në vitin 2021, nuk është aspak në dyshim.

Drejtori sportiv, Ausilio, ka zbuluar ekzistencën e një propozimi të Interit për rinovim nga argjentinasi, që daton dy muaj më parë, e cila u la pezull nga bomberi zikaltër. Bëhej fjalë për 6 milionë euro në vit, kjo ishte oferta e klubit. Nga ana tjetër, 10 milionë euro në vit ishte kërkesa e Wanda Nara. Nëse është kështu, rrugëzgjidhja në këtë rast do të ishte një e mesme e përbashkët, 8 milionë euro.

Interi dëshiron të eliminojë klauzolën e largimit prej 110 milionë eurove, e vlefshme vetëm për klubet e huaja (jashtë Italie). Por, edhe për këtë, Ëanda ka mendime të ndryshme. Sipas saj, një rritje më e ulët e pagës do të korrespondonte me një klauzolë lirimi më të ulët. Edhe në këtë pikë, ka ende distancë mes palëve, transmeton telesporti.

Klubi i Milanos, nga ana e tij, kërkon një rezolutë private dhe jopublike të negociatave, që janë të destinuara të përmbyllen në javët e ardhshme. Pritet tym i bardhë, sepse dëshira e Interit dhe e Icardit është e njëjta. Ashtu si e gjithë popullit zikaltër…