Fjalë Kyçe

“Kosova shumë e motivuar, s’e di a mund ta mposhtim”

“Kosova shumë e motivuar, s’e di a mund ta mposhtim”

Mesfushori i Malit të Zi, Nikola Vukcevic, e ka pranuar se skuadra e tij do ta ketë shumë të vështirë fitoren kundër një Kombëtareje shumë të motivuar si Kosova, e cila do të ishte e para për të në fushatën kualifikuese për Euro 2020.

Mali i Zi e viziton të hënën Prishtinë për t’u përballur me Kosovën në ndeshjen e rrethit të shtatë kualifikues pa shijuar ende asnjë fitore në këtë kampanjë dhe mesfushori i Levantes në La Liga nuk është i sigurt nëse ekipi i tij kombëtar do të mundë ta shijojë fitoren e parë kualifikuese pikërisht kundër verdhekaltërve, shkruan Gazeta Express.

Përveç se i humbi gjasat për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, Mali i Zi rrezikon ta mbyllë fushatën kualifikuese në mënyrën më zhgënjyese të mundshme, por do t’i ketë tri ndeshje në dispozicion për ta kërkuar fitoren deri në fund: ndaj dardanëve, anglezëve dhe bullgarëve

Kombëtarja malazeze u mposht nga Anglia 5:1, dy herë nga Republika e Çekisë me rezultat të njëjtë 3:0 dhe barazoi Kosovën dhe me Bullgarinë në Podgoricë.

Nikola Vukcevic

I pyetur nëse fitorja e parë do të vijë të hënën në Prishtinë kundër Kosovës, Vukcevic u përgjigj: “Nuk mund të them se do ta fitojmë ndeshjes. Është e vështirë të flasësh për këtë tani. (Kosova) do të jetë e motivuar sepse është duke luftuar për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Do të përpiqemi të luajmë sa më mirë, por është e vështirë të premtojmë fitore pas gjashtë ndeshjeve pa fitore në kualifikime”.

Për Kosovën, takimi me Malin e Zi është mbase më i rëndësishmi deri tani në fushatën e saj të parë kualifikuese për Euro, pasi i duhet fitorja më patjetër për të qëndruar në garë për kualifikim.

Fitorja e Republikës së Çekisë kundër Anglisë të premten ia ka vështirësuar punët tej mase Kosovës për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 nga Grupi A.

Anglia dhe Çekia i prijnë grupit me nga 12 pikë, me të parën që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Kosova ngel katër pikë prapa tyre, por me një lojë në dispozicion.