Fjalë Kyçe

Kryetari i UEFA-s, i jep përkrahje të fuqishme FFK-së

Kryetari i UEFA-s, i jep përkrahje të fuqishme FFK-së

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka pritur sot në selinë e tij presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu.

Në këtë takim tejet miqësor dhe të përzemërt, presidenti Çeferin i dha përkrahje të vazhdueshme presidentit Ademi dhe FFK-së, si dhe shprehu gatishmërinë për  ta përkrahur strategjinë e futbollit për FFK-në dhe projektet të cilat ia paraqiti presidenti Ademi për vitet në vijim. Po ashtu, presidenti i UEFA-s u shpreh tejet i kënaqur dhe i mahnitur me zhvillimin, organizimin dhe punën e FFK-së dhe përgëzoi presidentin Ademi për punën e tij, si dhe për rezultatet e ekipeve kombëtare të të gjitha kategorive dhe sidomos të kombëtares A. Çeferin shprehu dëshirën që ta vizitojë sërish Kosovën dhe ta shikojë nga afër edhe një ndeshje të kualifikimeve për Evropianin 2020 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Çeferin përgëzoi Ademin dhe Salihun edhe për raportet e mira me institucionet e shtetit të Kosovës dhe i falënderoj ato nëpërmjet tyre për përkrahjen dhe ndihmën që po i japin FFK-së dhe sipas tij ky është lajm i mirë për futbollin e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu e falënderuan presidentin Çeferin për pritjen shumë shoqërore dhe mirëkuptimin, si dhe përkrahjen që ua dha në objektivat dhe projektet të presidentit, sekretarit dhe KE të FFK-së.

Në fund, presidenti Ademi i bëri ftesë presidentit Çeferin për ta vizituar Kosovën, të cilën ai e pranoi me kënaqësi. Ndërkohë, pas takimit presidenti Çeferin shtroi drekë për krerët e FFK-së në selinë e UEFA-s.