Fjalë Kyçe

Kukësi-Skënderbeu, sfida vitrinë me “aromë” titulli

Kukësi-Skënderbeu, sfida vitrinë me “aromë” titulli

Një ndeshje vitrinë për të ndezur që në start javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Kukësi-Skënderbeu, ka përfaqësuar që prej ngjitjes së verilindorëve në elitën e futbollit shqiptar “majën” e rivalitetit për titullin kampion.

Mbetet një sfidë e tillë edhe në këtë sezon, pavarësisht se kampionatin e kryeson me meritë Partizani, me 4 pikë më shumë se korçarët. Formacioni i drejtuar nga Armando Cungut ka vuajtur problematika të shumta, që nga mungesat e vazhdueshme për arsye fizike, deri tek zhvillimi i ndeshjeve larg “Zeqir Ymerit”, pasi ky impiant nuk është licencuar për ndeshjet e Superiores.

“Shtëpinë” e re verilindorët e kanë gjetur në Kamëz, një zgjedhje e mirëmenduar, nesë bazohesh edhe te fakti që shumë tifozë kuksianë banojnë në këtë zonë. Në orën 14:00, të besuarit e Cungut do të zbresin në fushë me qëllimin e qartë për të marrë maksimumin e pikëve edhe si hakmarrje për atë disfatë minimale të fazës së parë në stadiumin “Skënderbeu”.

Dilema e madhe në kampin verilindor mbetet Reginaldo, i cili ka mosmarrëveshje me klubin (nuk i dhanë leje për t’u larguar drejt Mozambikut dhe nuk ka dalë në stërvitje në shenjë proteste), ndërsa ngushëllimi është rikthimi në mbrojtje i kapitenit Ylli Shameti. Shkodra është në dyshim për arsye dëmtimi, ndërsa Shafik nuk është grumbulluar fare.

Në kampin korçar do të vuajnë mungesën e Marko Radasit në qendër të mbrojtjes, pozicion ku do të aktivizohet Sambou. Gjithashtu nuk do të jenë në dispozicion të Shehit për arsye fizike Krasniqi e Hoxhaj.

Objektivi i vetëm në këtë sfidë mbetet fitorja, sidomos për Kukësin, që ende beson te trofeu i kampionit, pavarësisht se ecuria e deritanishme ka qenë me shumë luhatje. Me një sukses të mundshëm verilindorët do të barazonin me pikë pikërisht Skënderbeun, për t’i bërë edhe më shumë presion Partizani para transfertës me Teutën, raportojnë mediat shqiptare.