Fjalë Kyçe

Mbyllen hetimet për akuzat për përdhunim ndaj Neymarit?

Mbyllen hetimet për akuzat për përdhunim ndaj Neymarit?

Një gjykatës brazilian e ka pranuar rekomandimin e prokurorëve për t’i mbyllur hetimet ndaj sulmuesit brazilian, Neymarit, për akuzat për përdhunim, për shkak të mungesës së provave.

Prokurorët shtetërorë të Brazilit, Flavia Merlini dhe Estefania, kishin bërë të ditur para disa ditëve se kanë vendosur, bashkë me policinë, që të ndahen hetimet ndaj Neymarit për shkak se vajza që e akuzonte Neymarin nuk kishte prova të mjaftueshme, transmeton Gazeta Express.

Gjykatësi i rastit i pati 15 ditë kohë për ta marrë vendimin përfundimtar dhe sot është bërë e ditur se ai ka vendosur që ta pranojë rekomandimin e prokurorëve dhe e lëshoi urdhrin për mbylljen e rastit.

Hetimet filluan kur modelja braziliane, Najila Trindade, e akuzoi futbollistin se e kishte sulmuar atë në një hotel në Paris të Francës, në maj të këtij viti.

Neymari i mohoi këto akuza, duke thënë se marrëdhëniet e tyre ishin konsensuale.

Ky lajm u bë fillimisht i ditur në qershor, kur ylli i Paris Saint-Germainit e publikoi një video shtatë minutëshe në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, duke zbuluar se ishte akuzuar për përdhunim.

Ai gjithashtu i publikoi mesazhet dhe fotografitë që ia kishte dërguar Najila Trindade në Whatsapp, në tentim për të dëshmuar se ai nuk e kishte dhunuar vajzën në fjalë. Najila e paditi për shkelje të privatësisë dhe ai është ende duke u hetuar për këtë rast.

Trindade pastaj e bëri një intervistë në një televizion brazilian, duke publikuar edhe pamje dhe një video nga një zënkë e tyre në hotelin në Paris.

Policia më vonë e filloi edhe një padi ndaj Trinadades, e cila e akuzoi policinë se ishte e korruptuar. Për më tepër, modelen e braktisën disa avokatë radhazi gjatë kësaj padie ndaj Neymarit.