Fjalë Kyçe

Munishi dhe presidenti i Ballkanit kritikojnë Prekazin për dyshen Baftiu-Hoxha

Munishi dhe presidenti i Ballkanit kritikojnë Prekazin për dyshen Baftiu-Hoxha

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, është shprehur i pakënaqur me minutazhën e dy lojtarëve të tij në ekipin kombëtar të Kosovës U-21, Blend Baftiu dhe Arbër Hoxhës, duke thënë se për Kosovën U-21 po luajnë lojtarë që ai s’do t’i ftonte as në skuadër të Ballkanit. Ndërsa, presidenti i klubit, Arsim Kabashi, ka kërkuar që Prekazi të mos i shikojë dy lojtarët me xhelozi vetëm pse luajnë në Kosovë.

Shqipëria U21 i ia shkaktoi humbjen e dytë radhazi kombëtares motër U21 të Kosovës, duke ia vështirësuar punët për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2021, raporton Gazeta Express.
Goli i vonshëm i futbollistit të talentuar të Ballkanit, Blend Baftiut, nuk mundi t’ia parandalojë Kosovës disfatën në Grupin 3 kualifikues, pasi dy golat e Shaqir Tafës dhe Arbnor Mucollit i mjaftuan Shqipërisë për ta arritur fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuese të martën në Elbasan.
Përkundër që është golashënuesi më i mirë në Ipko Superligën e Kosovës këtë sezon, Baftiut nuk iu besua një vend në 11-shen e parë nga trajneri i Kosovës U-21, Rafet Prekazi. E njëjta ndodhi me yllin tjetër të Ballkanit, Hoxhën.
Pasi që Hoxha dhe Baftiu kombinuan pikërisht për ta shënuar golin e vetëm të Kosvoës, përkundër që luajtën vetëm në 12 minutat e fundit të ndeshjes, Munishi u shpreh i pakënaqur me trajnerin Prekazi.
“Blend Baftiu dhe Arbër Hoxha janë ndër lojtarët më tumirë te Kosova U-21, ka lojtarë te Kosova U-21 që te skuadra ime Ballkani nuk do i ftoja as në 18-she”, tha Munishi.

“Edhe Supermenin me fut në lojë 7-8 minuta nuk ka se çka të bëjë. Mendoj se trajneri Rafet Prekazi është dashur që t’i kryejë zëvendësimet më herët”.
I pakënaqur me minutat e lojës që iu besuan dyshes Baftiu-Hoxha u shpreh edhe presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, i cili mbrëmë ishte i pranishëm në Elbasan. Ai e publikoi me dy yjet e skuadrës së tij dhe e kritikoi trajnerin Prekazi.
“Me luanët e FCB, për 10 minuta këta ta kryejnë lojën, por duhet trajneri mos t’i shikojë me xhelozi vetëm pse luajnë në Kosovë” ka shkruar Kabashi.

Kjo humbje nënkupton se Kombëtarja dardane tani ngel një pikë prapa vendit të dytë, Anglisë që i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe katër prapa lideres, Austrisë.
Shqipëria grumbullon pesë pikë tani dhe i afrohet Kosovës në vetëm një pikë, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar. /Gazeta Express/