Fjalë Kyçe

Munishi e Berisha parashikojnë përballjen Kosovë – Angli

Munishi e Berisha parashikojnë përballjen Kosovë – Angli

Përderisa trajneri Kushtrim Munishi e ka theksuar se Anglia është Kombëtare që mund tëtë shkaktojë debakël nëse shpërqendrohesh për pesë minuta, kryetari i “Dardanëve” Lulzim Berisha beson se Kosova do të mbetet e pamposhtur në “Fadil Vokrri” edhe në këtë ndeshje.

Kosova do ta presë Anglinë në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së fundit të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, shkruan Gazeta Express.

Trajneri Kushtrim Munishi ka theksuar se Anglia është skuadër shumë e rrezikshme, pasi që i ka edhe lojtarët e stolit po aq cilësorë sa ata titullarë.

“Rezultati i kësaj ndeshjeje do të jetë shumë me rëndësi. E dimë se trajneri ynë Challandes nuk do ta nënçmojë Anglinë, nuk do të futet i relaksuar se Anglia e ka siguruar kualifikimin. Trajneri i Anglisë i ka edhe dhjetë lojtarë në stol që luftojnë për një vend, dhe ata janë po aq cilësorë sa të tjerët”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Unë po shpresoj në një rezultat pozitiv, edhe pse do të jetë e vështirë, të favorshëm për neve. Por do të jetë e vështirë. Kundër Anglisë, ekipet duhet të jenë të përqendruara vazhdimisht, pasi që kundër tyre mund të pësosh debakël brenda pesë minutave”.

Në anën tjetër, Lulzim Berisha beson se Kosova do ta vazhdojë ecurinë e të qenët e pamposhtur në ndeshjet e zhvilluara në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Ne presim që lojtarët të luajnë ashtu siç kanë luajtur deri më sot, nuk kemi ndonjë kërkesë speciale. Edhe po pësuam debakël ose jo, ne jemi kundërshtarë të denjë për gjithsecilin. Mos të harrojmë që Anglia është djepi i futbollit, ku ka lind dhe është krijuar futbolli”, tha Berisha në “Favorit”.

“Mendoj se të gjithë duhet të jenë në nivel, por përkrahja nuk mungon. Mos harroni që në stadiumin “Fadil Vokrri” ne nuk dimë çfarë është humbja dhe besoj që s’do të humbasim prapë”.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit.