Fjalë Kyçe

Paul Pogba blen makinë tejet luksoze

Paul Pogba blen makinë tejet luksoze

Paul Pogba do të bëhet baba. “Sun Sport” zbuloi se e dashura e mesfushorit francez, Maria Salaues, është shtatzënë dhe pritet të sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë. Kampioni i botës po kalon ditë të mrekullueshme në kapërcyellin mes dy viteve, sepse është shndërruar në pikë referimi për Manchester United, të drejtuar tashmë nga Ole Gunnar Solskjaer.

Pra, nga “ferri” në kohën e Mourinhos, francezi e sheh veten në “parajsë”, nën drejtimin e trajnerit norvegjez. Më herët, të gjitha mediat shkruanin për sherret mes tij dhe “Special One”, se ai mund të largohej nga klubi këtë muaj (merkaton e dimrit), me interesin e Barcelonës dhe Juventusit evident.

Sidoqoftë, pati një kthesë të jashtëzakonshme për klubin dhe vetë Pogba. Trajneri i ri, Solskjaer, ka thënë se ka në plan ta ndërtojë ekipin rreth francezit të shkëlqyer. Dhe, për të festuar një javë të mrekullueshme, Paul Pogba e ka “rritur shpejtësinë” me një “Ferrari 812 Superfast” të verdhë, që kushton rreth 250.000 stërlina.

Lajmet “Pogbaby” u konfirmuan në të vërtetë nga legjenda e Manchester United, Bryan Robson. Ai tha: “Kur e pashë javën e kaluar në Dubai, me skuadrën, biseduam pak. E urova atë për fëmijën e parë që pret. Pogba dukej mjaft i relaksuar me gjërat”.

Salaues, 23 vjeçe, e tregoi shtazaninë e saj në ndeshjet e Manchester United kundër Huddersfield dhe Bournemouth, gjatë periudhës së Krishtlindjes, teksa pranoi të fotografohej me barkun e fryrë, rrugës për në stadium. I dashuri i saj shënoi dy herë në secilën nga këto lojëra, ndërsa pati dedikime për bukuroshen boliviane.

Vetë Pogba, i cili zakonisht është shumë aktiv në rrjetet sociale, ende nuk e ka konfirmuar lajmin. Çifti e ka mbajtur marrëdhënien e vet larg mediave, me Salaues që u shfaq së pari kur mbështeti Pogba në Kupën e Botës, verën e kaluar, në Rusi.