Fjalë Kyçe

Përfundon ndeshja e Yjeve, ky është rezultati final

Përfundon ndeshja e Yjeve, ky është rezultati final

Skuadra e Granit Xhakës dhe ajo e Milot Rashicës janë ndarë me barazim 4:4, në ndeshjen miqësore që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pjesa e parë ishte mbyllur me rezultat 2:1, në favor të Xhakës.

Shumë prej yjeve shqiptare – jo vetëm të botës së futbollit – u shfaqën sot në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku u zhvillua një ndeshje bamirësie futbolli për dhjetë familje nevojtare, në Ditën e Çlirimit.

Skuadra e Rashicës e nisi këtë ndeshje më mirë, pasi iu nevojitën vetëm pesë minuta për ta zhbllokuar rezultatin. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ermir Lenjani, u tregua i saktë para portës, pasi topi iu kthye te këmbët nga shtylla që e goditi Rashica.

Megjithatë, skuadra e Xhakës nuk u dorëzua dhe arriti ta përmbysë rezultatin qysh gjatë minutave në vazhdim të pjesës së parë , kur shënuan ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, dhe basketbollisti Dardan Berisha.

Një moment mjaft i veçantë i kësaj ndeshjeje ishte rreth minutës së dhjetë, kur u ndal loja për nder të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit. Djali i tij, Gramosi, u duk mjaft i emocionuar në fushë.

Spektakël dhuroi edhe gjyqtari Genc Nuza, i cili e ndëshkoi me karton të verdhë kapitenin Rashica, i cili u përgjigj duke qeshur.

Edhe pjesa e dytë e ndeshjes solli mjaft shumë gola, gjithsej katër. Fillimisht rezultatin e barazoi Shefki Kuqi, i cili shënoi pas një pasimi nga Milot Rashica.

Rashica shënoi gol pas disa minutave.

Këtij goli të Rashicës, iu përgjigj me gol edhe Xhaka.

Në minutën e 65-të të ndeshjes Milot Rashica doli nga ndeshja. Këtë ndërprerje të ndeshjes e shfrytëzoi një tifoz i Xhakës, i cili shkoi t’i flasë yllit të Arsenalit dhe ia puthi atij këpucët.

Dy golat e fundit i shënuan Armend Thaqi (për skuadrën e Xhakës, 4:3) dhe Lenjani (për skuadrën e Rashicës (4:4). Pasi rezultati u barazua, ndeshja pritjej te vendosej me penallti.

Në pritje për gjuajtjen e penalltive, shumë tifozë hynë në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë për t’i takuar yjet që luajtën në këtë ndeshje, veçanërisht Xhakën dhe Rashicën. Rojet e sigurimit tentuan t’i largojnë ata nga fusha.

Përkundër që u prit disa minuta që situata të qetësohej në fushë, rojet e sigurimit nuk arritën t’i largojnë tifozët nga fusha dhe ndeshja u mbyll pa gjuajtjen e penalltive, me barazim 4:4.

Skuadra e Xhakës e kishte trajner Afrim Tovërlanin, ndërsa asistent Shpend Ahmetin. Në këtë skuadër, përveç Xhakës, ishin edhe Fatos Sinani, Armend Thaqi, Blerim Rrustemi, Debatik Curri, Arben Zhjeqi, Muharrem Sahiti, Berat Buzhala, Gramos Vokrri, Enis Fetahu, Dukagjin Lipa, Margim Mavraj, Ragip Xhaka, Adrian Berisha dhe Dardan Berisha.

Ndërsa, trajner i skuadrës së Rashicës ishte Ismet Munishi dhe asistent Meda. Në këtë skuadër, si futbollistë ishin: Visar Bekaj, Ermir Lenjani, Milaim Humolli, Armend Dallku, Eroll Salihu, Shefki Kuqi, Ledri Vula, Suad Keçi, Liridon Leci, Blero, Xhevdet Llumnica, Driton Krasniqi, Azem Ahmeti, Mirsad Rashica dhe Haxhi Krasniqi.