Fjalë Kyçe

Tifozët grekë shpalosin banderolë prekëse për shqiptarët

Tifozët grekë shpalosin banderolë prekëse për shqiptarët

Tifozët e gjigantit grek Panathinaikos e kanë ndarë dhimbjen me gjithë popullin shqiptar për viktimat e tërmetit tragjik që e goditi Shqipërinë të martën, duke u lutur për vendin fqinj.

49 persona kanë mbetur të vdekur dhe mbi 650 të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të ditës së marte, raporton Gazeta Express.

Klube të mëdha italiane dhe futbollistë të ndryshëm të famshëm, përfshirë fituesin e Kupës së Botës 2018 me Francën, Paul Pogba, janë lutur për viktimat e kësaj fatkeqësie tragjike dhe kanë shprehur solidaritet me gjithë popullin shqiptar që nga dita e martë.

Solidariteti dhe lutjet për Shqipërinë vijnë edhe nga klubi i shtetit fqinj, Greqisë, Panathinaikos, tifozët e të cilit e ndajnë dhimbjen me popullin shqiptar për viktimat e tërmetit.

Tifozët e Panathinaikos shpalosën një banderolë tepër emocionuese në sfidën ndaj Basconias, në mbështetje të popullit shqiptar duke shkruar: “Dhimbja dhe solidariteti nuk njohin kufij! Kurajo popullit shqiptar”.

Edhe faqja zyrtare e Panathinaikosit ishte solidarizuar me shqiptarët pas tërmetit tragjik, duke shkruar në llogarinë zyrtare në Facebook: “Dhimbja e shpirtit juaj, është dhe dhimbja jonë. Tërmeti vdekjeprurës ka lënë dhjetëra të vdekur në Shqipëri. Lutuni për Shqipërinë”.