Fjalë Kyçe

Trajneri i Kombëtares së Çekisë, i shqetësuar para përballjes me Kosovën

Trajneri i Kombëtares së Çekisë, i shqetësuar para përballjes me Kosovën

Përderisa në konferencën e parë për shtyp ishte shprehur optimist për ndeshjen kundër Kosovës, tani trajneri i Kombëtares së Çekisë, Jaroslav Silhavy, është ankuar për afatin e shkurtë kohor që e ka pasur në dispozicion për ta përgatitur skuadrën e tij.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, transmeton Gazeta Express.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Për ta arritur këtë qëllim, “Dardanët” sot arrijnë në Çeki, për ta zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Doosan Arena, ku të enjten zhvillohet ndeshja.

Trajneri i çekëve, Jaroslav Silhavy, është i shqetësuar për kohën e shkurtë që e ka pasur në dispozicion për ta përgatitur skuadrën e tij për ndeshjet e ardhshme.

“Përgatitjet janë më të shkurta se zakonisht. Kemi më pak kohë për gjëra taktike. Kemi vetëm edhe pak kohë, pasi që nesër do të stërvitemi në terrenin ku do të zhvillohet ndeshja,” ka thënë Silhavy.

Ylli i Çekisë Patrik Schik do të mungojë në këtë ndeshje të rëndësishme për shkak se klubi i tij Leipzig nuk dëshironte të rrezikonte që atij t’i përkeqësohej lëndimi. Por, kjo s’ka ndikuar që Silhavy ta humbë vetëbesimin te skuadra e tij, pasi që i sheh si opsion Libor Kozakun dhe Martin Dolezalin.

“Të dy mund të shënojnë, por Dolezal na përshtatet më shumë. Ai është më i lëvizshëm dhe mund të krijojë hapësira tepër të mëdha në lojë pa top,” ka thënë trajneri çek.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.