Fjalë Kyçe

Tre kosovarë të rrahur mbrëmë nga tifozët e Vardarit janë nga Kaçaniku, reagon ashpër kryetari Suma

Tre kosovarë të rrahur mbrëmë nga tifozët e Vardarit janë nga Kaçaniku, reagon ashpër kryetari Suma

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe nënkryetari Mallzum Qajani, përmes një komunikate për media njoftojnë se kanë vizituar në shtëpitë e tyre tre të rinjtë nga kjo Komunë, Egzon Avdush Kuka (1995), Liridon Avdush Kuka (2000) dhe Metush Qamush Brava (2001) që u sulmuan mbrëmë në Shkup pas ndeshjes midis Vardarit dhe Shkëndijës nga ana e tifozëve maqedonas “Komitët”.

Në komunikatë thuhet se “‘Komitët’ me të mbaruar ndeshja midis Vardarit dhe Shkëndisë kanë vërshuar rrugëve të Shkupit të pajisur me thika e shkopinj bejsbolli dhe pa as një arsye sulmuan tre të rinjtë e Hanit të Elezit duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore”.

“Edhe përkundër numrit të madh të njësive policore në vendin e ngjarjes ata nuk reaguan me kohë edhe pse me lëndime të rënda trupore dhe të përgjakur nuk i ofruan ndihmën mjekësore, por i dërguan në stacionin policorë për ti intervistuar dhe në atë gjendje i mbajtën më tepër se 5 orë. Me të arritur në Kosovë, ata menjëherë shkuan në QKMF të Hanit të Elezit ku morën trajtimin mjekësor”, thuhet më tej në komunikatë.

Kryetari Suma, po ashtu, kërkon nga pushteti maqedonas që “ndaj huliganëve të shqiptohet dënimi i merituar dhe të krijoj siguri për qytetarët shqiptarë të Kosovës”.

“Gjithashtu kërkohet nga ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut që të interesohen për sigurinë e shqiptarëve të Kosovës në Maqedoni sepse kjo nuk është hera e parë që huliganët maqedonas i sulmojnë shqiptarët e Kosovës në të kundërtën as shtetasit maqedonë që vijnë në Kosovë nuk do të kenë siguri. Lidhur me këtë rast, kryetari Suma pos Ambasadës së Kosovës në Maqedoni, iu drejtua edhe Ambasadës së Maqedonisë në Kosovë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës”, përfundon komunikata.