Fjalë Kyçe

U mbajt konferenca “Lufta kundër kurdisjes së ndeshjeve”

U mbajt konferenca “Lufta kundër kurdisjes së ndeshjeve”

Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar konferencë një ditore me temën “Lufta kundër kurdisjes së ndeshjeve” në bashkëpunim me Këshillin Ligjor të Sportit, e ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e UEFA-s të kësaj sfere, Efraim Barak, profesor i së drejtës ndërkombëtare të sportit dhe arbitër në CAS, Graham Peaker, kordinator në Këshillin kundër kurdisjes së ndeshjeve dhe William McAullife, avokat i mbrojtjes së lojës në Departamentin Ligjor të UEFA-s. Në punimet e kësaj konference ishin pjesëmarrës nënkryetari i FFK-së, Agim Dibrani, zv.sekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti, zyrtari për integritet të garave, Ejup Osmani, kapiteni i Policisë, Bajram Shabani, si dhe përfaqësuesit e klubeve dhe kapitenet e ekipeve të Superligës dhe Ligës së Parë.

Fillimisht të pranishmit në emër të KE të FFK-së dhe presidentit Ademi i përshëndeti nënkryetari Agim Dibrani, i cili theksoi rëndësinë e mbajtjes së aktiviteteve të tilla për një federatë të re siç është FFK.

“I përshëndes përfaqësuesit e UEFA-s, të cilët çdo herë i kemi krah vetës dhe si një federatë realisht e porsalindur kemi nevojë për përvojat e tyre . Ne do të angazhohemi maksimalisht që t’i eliminojmë të gjitha dukuritë negative sikurse edhe ajo për të cilën po diskutojmë sot”, ka thënë nënkryetari Agim Dibrani.

Më pas, zv.sekretari i përgjithshëm Arianit Ahmeti para të pranishmëve ka bërë një rezyme për punën e FFK-së, në bazë të cilave ligje vepron kjo federatë, pastaj bashkëpunimi me UEFA-n, si dhe prioritetet e saj në luftën kundër dukurive negative dhe strategjia e FFK-së për të ardhmen.

Ndërkohë, kapiteni i Policisë së Kosovës, Bajram Shabani ka thënë se Policia e Kosovës si mekanizëm i sigurisë që nga ndeshja e parë ndërkombëtare që e ka zhvilluar Kombëtarja e Kosovës në vitin 2014 është e angazhuar dhe i jep mbështetje FFK-së në organizim, planifikim dhe mbarëvajtje në aspektin e sigurisë gjatë zhvillimit të ngjarjeve sportive.

“Gjithashtu ne jemi të pranishëm edhe në ndeshjet e brendshme që zhvillohen në Republikën e Kosovës, duke filluar nga Superliga e tutje, në ato ndeshje ku vlerësohet se rrezikshmëria ekziston apo ka mundësi që të ndodhë diçka. Po ashtu, pas anëtarësimit të FFK-së në UEFA e FIFA kemi marrë pjesë në seminare të ndryshme në UEFA dhe kemi përfituar shumë në aspektin e planifikimit, mbarëvajtjes dhe parandalimit të dukurive të ndryshme që bien ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Shabani.

Ndërkaq, drejtori i këtij programi, Efraim Barak, u shpreh i sigurt se pas kësaj konference të gjithë pjesëmarrësit do të keni shumë më shumë informata sa i përket kurdisjes së ndeshjeve dhe luftimit të kësaj dukurie.

“Duhet ta dini se korrupsioni dhe manipulimi i ngjarjeve sportive nuk është një fenomen i ri. Ka raporte historike për manipulimin e rezultateve qysh edhe në garat olimpike antike. Ka një studim që tregon se nga gjobat që janë mbledhur nga atletët që kanë trukuar ngjarjet janë ndërtuar statuja jashtë stadiumeve ku kanë ndodhur Lojërat Olimpike. Kurdisjet e rezultateve janë raportuar në Angli në kriket qysh në shekullin e 19-të. Ka pasur manipulime shumë të mëdha në SHBA në vitet 1900 dhe në fillim të shekullit 18. Disa thonë se për këtë arsye është ndaluar basti në ngjarjet sportive në SHBA deri në kohët e fundit. Ndërkohë, në 20 – 30 vitet e fundit futbolli në Evropë është ballafaquar me numër në rritje të kurdisjeve. Kjo ka të bëjë shumë me kontaktin e drejtpërdrejt, me zhvillimet e shpejta të tregut të basteve posaçërisht në formatin online. Pavarësisht a manipulohen këto ndeshje për arsye sportive apo financiare, kurdisjet e ndeshjeve e rrezikojnë integritetin e garës dhe e dëmtojnë vetë frymën dhe shpirtin e sportit tonë të bukur që quhet futboll”, është shprehur Barak.

Sipas tij në tregun e basteve të hyrat janë diku mes 300 deri 500 miliardë euro dhe thuhet se më shumë se 80 përqind e tyre janë ilegale.

“Ne e kuptojmë vëllimin e problemit, sepse qindra miliona e miliarda shpërlahen përmes basteve sportive. Në vitin 2014 Interpoli ka zbuluar se kurdisjet e ndeshjeve janë në vlerë prej 500 miliardë dollarë vetëm në tregun aziatik. Pra, tregu aziatik në fund të fundit lidhet edhe me futbollin në Evropë. Derisa e kuptojmë se basti në sport është ligjor në çdo vend dhe e dimë se basti përdoret për qëllime të mira, sepse të hyrat përdoren për të përmirësuar infrastrukturën, për të bërë shkolla, spitale e kështu me radhë, por qysh pas disa muajsh edhe në SHBA do të jetë legale vënia e bastit pas gati një shekulli ndalim. Edhe pse e kuptojmë se bastet ligjore janë të rëndësishme, ne gjithashtu kuptojmë problemin që shkaktohet nga efekti që kjo platformë legjitime përdoret nga trukuesit. Duhet ta dini se trukuesit përdoren jo vetëm në tregun ilegal por edhe në atë legal. Trukimi përdoret në forma të ndryshme, ku përveç rezultateve përdoret edhe në numrin e golave, numrin e kartonëve, numrin e kornerëve etj. Madje, thuhet se ka baste edhe për ngjyrën e fanellave të gjyqtarëve të një ndeshje, prandaj kurdisja e ndeshjeve në futboll përshkruhen si kërcënimi dhe rreziku më i madh për futbollin. Mirëpo, duhet ta dimë se federatat e futbollit janë subjekte të pavarura me autorizime të kufizuara dhe me masa të kufizuara disiplinore”, ka nënvizuar Barak.

Më pas gjatë kësaj konference është bërë një prezantim i qasjes së UEFA-s rreth luftimit kundër kurdisjes së ndeshjeve, pastaj janë shpjeguar procedurat juridike dhe pasojat për zyrtarët e klubeve, lojtarët e referët që përfshihen në kurdisjen e ndeshjeve, derisa në fund është bërë edhe prezantimi i të dhënave të mbledhura nga “Sports Radar” si dhe përgjimet që kanë të bëjnë me kurdisjet e ndeshjeve./GazetaAlo