Fjalë Kyçe

Vendoset data dhe vendi i rimeçit Joshua – Ruiz

Vendoset data dhe vendi i rimeçit Joshua – Ruiz

Anthony Joshua do të shkojë në Lindjen e Mesme më 7 dhjetor, pasi që ish-kampioni botëror i boksit në kategorinë e peshave të rënda do të tentojë t’i kthejë tre nga katërt titujt e tij nga Andy Ruiz Jr.

Këtë lajm e ka bërë të ditur e përditshmja angleze, The Telegraph, mirëpo një njoftim zyrtar pritet që të dalë edhe sot nga përfaqësuesit e të dy boksierëve, transmeton Gazeta Express.

Joshua do të luftojë kundër Ruizit për titujt IBF, WBA dhe WBO në Riad të Arabisë Saudite, pasi që autoritetet e këtij vendi i kanë ofruar rreth 100 milionë dollarë vetëm që rimeçi të ndodhë te ta.

Ky rimeç do ta ketë vëmendjen e të gjithë tifozëve të boksit, pasi që Andy Ruiz i tronditi të gjithë më 1 qershor, kur përkundër që nuk ishte aspak favorit për meçin kundër Joshuas, e mposhti atë.

Përveç Riadit, boksierët patën edhe opsione të tjera në tavolinë, veçanërisht nga stadiumi i Cardiffit në Angli dhe nga stadiumi “Madison Square Garden” në Nju Jork.

Joshua i humbi titujt e botës IBF, WBA dhe WBO pasi u rrah keq nga Ruizi më 1 qershor dhe pastaj ai e aktivizoi klauzolën në marrëveshjen me boksierin amerikan me prejardhje meksikane, e cila i jep atij të drejtën për rimeç.