Fjalë Kyçe

Xhaka dhe Rashica nderojnë legjendën Fadil Vokrri

Xhaka dhe Rashica nderojnë legjendën Fadil Vokrri

Granit Xhaka dhe Milot Rashica kanë formuar skuadrat për ndeshjen miqësore që do të zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Para ndeshjes dy lojtarët së bashku me disa prej lojtarëve tjerë që përbëjnë skuadrat, kanë vizituar varrin e ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri për të bërë homazhe.

Aty Granit Xhaka e çmoi lartë veprën e Vokrrit duke theksuar se në futbollin evropian, emri i Fadil Vokrrit është përmendur shumë, duke e cilësuar atë si figurën kryesore të futbollit kosovar.

“Po është kënaqësi me qenë këtu me Milotin me legjendën e Kosovës, Fadil Vokrrin dhe krenar që e kemi pasur një legjendë si ky. Shumë ka humb si person si imazh për Kosovën ka humbur shumë. Po u flit për shembull me trajnerin e kombëtares së Zvicrës me Vladimir Petkoviç ku e ka njoftur edhe Fadil Vokrrin, kemi folur, kemi pasur biseda për të. Ndihemi krenar ku një person si Vladimir Petkoviç e njeh një legjendë tonë”, u shpreh Xhaka.

Ndërkaq, Milot Rashica u shpreh se Vokrri ka qenë shembulli më i mirë për ta dhe se të gjitha sukseset e Kosovës i dedikohen pikërisht atij.

“Po normal të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm ka qenë Fadili për ne. Jo vetëm për ne, për Federatën dhe për njerëzit në Kosovë, po në veçanti për ne si futbollistë, e kemi pasur një shembull që kemi mundur me ndjekë dhe na ka përkrahur jashtëzakonisht shumë dhe normalisht që për të gjithë ne ka qenë një humbje shumë e madhe për ne. Këto sukseset që i kemi mbërri me Kosovën normal që i dedikohen atij”, tha Rashica.

Ndërkaq në konferencën për media para ndeshjes së sotme, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bërë të ditur se shumë shpejt do të ngritet statuja e Fadil Vokrrit pikërisht në stadiumin e Prishtinës, stadium i cili gjithashtu mban emrin e tij.

“Prandaj e pakta është që të bëjmë homazhe e shumë shpejtë do ta kemi edhe shtatoren e Fadil Vokrrit para stadiumit si te Arsenali që është tek stadiumi atje, që ta nderojmë dhe të ia kujtojmë të gjithëve veprën që e ka bërë Fadili”, deklaroi Ahmeti.

Kujtojmë që ndeshja mes skuadrës së Granit Xhakës dhe Milot Rashicës zhvillohet sonte prej orës 20:00.