Fjalë Kyçe

Asnjë dënim me burgim të nivelit të lartë

Asnjë dënim me burgim të nivelit të lartë

Për tre vjet asnjë zyrtar i profilit të lartë në Kosovë nuk është dënuar me burgim efektiv nga sistemi gjyqësor, ndonëse disa zyrtarë të lartë të shtetit janë gjykuar për “Korrupsion”. Kështu thonë monitoruesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë, të cilët e kritikojnë këtë sistem se është i kapur nga politika, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha janë disa prej ministrave aktualë, ndaj të cilëve Prokuroria ka ngritur aktakuza, ndërsa ata vazhdojnë të jenë në pozita udhëheqëse.

Po ashtu aktakuza nga Prokuroria Speciale janë ngritur edhe ndaj deputetëve Zenun Pajaziti (PDK), Milaim Zeka (Nisma), Shkumbim Demaliaj (AAK), si dhe ndaj disa deputetëve të LVV-së e të PSD-së për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ky fakt është theksuar edhe në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan mbi të Drejtat e Njeriut, i publikuar gjatë kësaj jave, i cili ka ngritur një alarm të kuq në Kosovë lidhur me ngecjet në sistemin e drejtësisë në vend.