Fjalë Kyçe

Djemtë e Isa Mustafës importonin vetura nga Serbia, akuzohen personat që i zbuluan

Djemtë e Isa Mustafës importonin vetura nga Serbia, akuzohen personat që i zbuluan

Dy djemtë e ish-kryeministrit Isa Mustafa, Arbeni dhe Besniku, kanë deklaruar se qëllimi i publikimit të informatave për mënyrën e importimit të veturave nga firma e tyre “Makcar”, ka qenë për ta dëmtuar imazhin e familjes.

Arben dhe Besnik Mustafa, të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, janë dëgjuar në cilësi të të dëmtuarve-dëshmitarëve, në gjykimin ndaj të akuzuarve se nxorën sekrete tregtare për importin e veturave nga kompania “Makcar”, Ramadan Latifaj, Enliat Shala dhe Isa Shiti.

Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala, akuzohen se më 10 mars 2016, në Doganën Rajonale në Ferizaj, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre, duke hapur sistemin “Asycuda” në kompjuterin e punës në zyrën e të akuzuarit tjetër, Isa Shitit dhe kishin printuar Deklarata Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR” LL.C, me seli në Prishtinë, me pronar Besnik Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, i njëjti “DUD”, thuhet se ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen “MAKCAR” dhe pronarit të saj, Mustafa.

Ndërsa, Isa Shiti bashkë me Enliat Shalën, akuzohen gjithashtu se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale të komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar.

Në seancën e së enjtes, Besnik Mustafa ka deklaruar se lidhur me këtë rast, kishte dhënë deklaratë tek hetuesit policorë në Ferizaj.

Në pyetjet e prokurorit të rastit, Rasim Maloku, Mustafa ka thënë se këtë deklaratë e kishte dhënë për disa fatura blerëse lidhur me pjesët e automjetit të markës “BMW”, të cilat ishin publikuar në media nga një zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, më 3 prill 2016.

Ai shtoi se që nga viti 2010, e tutje është përfaqësues i autorizuar i markës “BMW”, veprimtari të cilin tha se e ka ushtruar përmes firmës “MAKCAR”, me seli në magjistralen Prishtinë-Shkup.

“Bashkëpronar i kësaj firme ka qenë dhe është vëllai im Arben Mustafa. Në kuadër të kompanisë i kemi edhe 11 punëtor të tjerë. Veprimtaria e kësaj firme është shitja e automjeteve dhe servisimi i tyre. Pjesët e automjeteve në vitin 2014-2016 i kemi importuar nga një përfaqësi e autorizuar e BMW-së në Serbi, nga e cila ne kemi marrë pjesët. Agjensioni kontraktues InterEvropa, ka bërë transportin dhe shpeticionit. Ky agjension ka qenë i kontraktuar nga ana e kompanisë sonë, të cilët e kanë kryer zhdoganimin e pjesëve dhe automjeteve të cilat i kemi marrë nga përfaqësia në Beograd të Serbisë. Drejtor i këtij agjensioni InterEvropa është Arben Mustafa dhe në këtë agjension nuk ka pas punëtor të kompanisë “MAKCAR”, tha Mustafa.

Në kuadër të këtij agjensioni, ai tha se kishin punuar disa shpediter, ku secili kishte pasur kodin e tij të qasjes në sistem.

Se si apo nga kush ishin nxjerrë faturat blerëse të pjesëve të automjeteve, Mustafa tha se nuk ishte në dijeni dhe se me këtë ishte marrë hetuesia përkatëse.

Pas publikimit, ai tha se së bashku me vëllain e tij, Arben Mustafa, kishin kërkuar nga dogana se si dhe nga kush janë zbuluar këto të dhëna.

Se çfarë kishin përmbajtur këto të dhëna, Mustafa shtoi se ato kishin qenë fatura të pjesëve rezervë të automjeteve të cilat ishin importuar nga përfaqësuesi i autorizuar “BMW” në Serbi, “Delta Motors”, pastaj çmimi blerës për njësi, dhe vlera totale e mallit blerës.

“Po ashtu, në këto fatura ka figuruar emri i shitësit dhe blerësit, pra i firmës “Delta Motors” si shitës, dhe firmës “MAKCAR” si blerës. Të dhëna të tjera rreth personave fizik si përfaqësues të këtyre firmave, nuk ka pas”, tha Mustafa.

Se çka konsideronte ai sekret tregtar në këto fatura, ai tha se sipas mendimit të tij, sekret tregtar është çmimi blerës për çdo produkt, konkretisht pjesët rezervë.

“Unë konsideroj se çmimi është sekret zyrtar për faktin se nuk është e drejtë që një klientë i joni të ketë qasje në çmimet blerëse të mallit që e importojmë ne, dhe në të njëjtën kohë të shihet profiti, se në çfarë profiti shitet ajo pjesë”, deklaroi Mustafa.

Lidhur me pyetjen se a e kishte njohur ndonjërin nga të akuzuarit në kohën e publikimit të këtyre të dhënave, ai tha se dy nga tre të akuzuarit i kishte njohur.

“Po, Isa Shiti dhe Enliat Shalën i kam njohur, kurse Ramadan Latifaj jo. Isa Shiti ka qenë punëtor-shpediter në kompaninë InterEvropa, të cilën e ka udhëheq vëllai im Arben Mustafa, kurse Enliatin e njoh nga studimet dhe si punëtor i doganës në pikën doganore InterEvropa në Prishtinë, ku e ka selinë edhe kompania InterEvropa”, shtoi Mustafa.

Ai tha se publikimi i këtyre të dhënave kishte dëmtuarin imazhin e firmës dhe të familjes së tij.

“Dëm material fatmirësisht nuk kemi pësuar, përpos publikimit të herë pas hershëm të lajmit se djemtë e Isa Mustafës ushtrojnë biznes me firmën nga shteti i Serbisë. Qëllimi i publikimit të këtyre të dhënave ka qenë që në cak të sulmit të jetë babai im, Isa Mustafa, meqë në atë kohë ka qenë dhe ende është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe Kryeministri i Kosovës.”, tha Mustafa.

Në fund, ai tha se si palë e dëmtuar nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, dhe nuk ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

Në këtë seancë ka dhënë dëshminë edhe dëshmitari – i dëmtuari tjetër, Arben Mustafa.

Ai deklaroi se është drejtor menaxhues i firmës “InterEvropa”, kurse në kompaninë “MAKCAR”, është bashkëpronar me vëllain e tij, Besnik Mustafa.

“Kompania merret me servisimin e automjeteve BMW, pra ne jemi distributor të autorizuar për shitjen e pjesëve dhe të veturave BMË. Kurse, InterEvropa është kompani sllovene me 90% të aksioneve, ku 10% të aksioneve i ka Fazli Hasani. Që nga viti 2006, unë jam në cilësinë e drejtorit menaxhues”, tha Mustafa.

Në pyetje të prokurorit Maloku, se çfarë ishte publikuar në media dhe se çfarë kishin përmbajtur ato, Mustafa tha se kishin dalë disa deklarata ku thuhej se ne importojmë pjesë nga Serbia.

“Sa më kujtohet mua, dokumentet të cilat janë publikuar në media kanë qenë fatura për mallin e blerë të firmës MAKCAR, të blera nga një firmë në Serbi, e quajtur Delta Motors. Përmbajtja e këtyre faturave nuk më kujtohet saktësisht. Gjatë 14 viteve sa punoj në këtë kompani, nuk ka ndodhë ndonjëherë që dikush nga punëtorët të publikoj apo të nxjerrë sekrete afariste”, tha ai.

Lidhur me të akuzuarin Isa Shiti, Mustafa tha se ai kishte qenë i punësuar në kompaninë “InterEvropa”, dhe atë, i vetmi punëtor dhe shpediter i kësaj firme, të cilin, pas publikimit të të dhënave fillimisht e kishin suspenduar nga puna, e më pas i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Me rastin e publikimit të këtyre sekreteve afariste të firmës “MAKCAR”, Mustafa tha se kjo firmë nuk kishte pësuar ndonjë dëm të caktuar material, por tha se kjo ka ndikuar në imazhin e firmës.

“Potencoj se në opinion gjithnjë është theksuar fakti se “Këta janë djemtë e Isës, e jo përfaqësues të firmave konkrete”, shtoi Mustafa.

Si palë e dëmtuar, ai tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarve, kurse për kompensimin e dëmit material, ai nuk ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

Në këtë seancë, ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Selim Tahirsylaj, doganier në Doganën e Kosovës, në regjionin e Prishtinës, i cili tha se në vitin 2016, kishte qenë anëtar në sektorin e antikontrabandës rajonale në regjionin e Ferizajt, në kuadër të Doganës së Kosovës.

Me të akuzuarin Enliat Shala, ai tha se kishte punuar në të njëjtin njësitë, kurse me të akuzuarin Ramadan Latifaj kishte punuar në të njëjtën drejtori dhe në të njëjtin institucion në Ferizaj.

Për të akuzuarin Isa Shiti, atë tha se e kishte njohur ngase i njëjti kishte punuar si shpediter në terminalin Hani i Elezit, dhe se zyrtarisht e kishte lidhur puna me doganën ku kishte punuar ai.

Me të akuzuarin Shiti dhe Shala tha se kishte pirë kafe, dhe atë në terminalin e Hanit të Elezit, ku zyra e të akuzuarit Shiti kishte qenë 20 apo 25 metra afër vendit ku ishin takuar.

“Ne kur kemi shkuar në terminal, me sa më kujtohet e kemi parkuar veturën para zyrës së Isës, dhe jemi takuar me Isën, dhe së bashku me Enliatin kemi shkuar që të tre për të pirë kafe. Ne kemi qëndru së bashku në terasë, e në ndërkohë Enliati u qu dhe tha se po shkon në zyrën e Isës, ku e ka pyetur Isën se a të punon printeri sepse kam për të printuar një temë diplome apo diçka tjetër, por më pas është kthyer duke thënë se për shkaqe teknike nuk ka mundur ta printoj dokumentin. Ai është vonuar 3 apo 4 minuta. Nuk më kujtohet a ka kërkuar nga Isa sqarime se si të hyjë në kompjuter, pra për ndonjë fjalëkalim, por e ka pyetur se a mund ta përdorë kompjuterin e Isës”, tha Tahirsylaj.

Pasi që ishte kthyer Shala, ata përsëri kishin shkuar tek zyra e të akuzuarit Shiti, ku përsëri kishin tentuar që të printonin diçka, por nuk kishin mundur.

“Unë kam qëndruar tek dera, dhe i kam parë ata duke tentuar të printonin, por nuk kanë mundur”, tha Tahirsylaj.

Ai tha se së bashku me të akuzuarin Shala ishin kthyer në ndërtesën e terminalin doganor “Fitorja”, në Ferizaj.

“Tek terminali jemi takuar me kolegët që kanë qenë prezent, unë kam qëndruar tek administrata në korridor, kurse Enlitati ka hyrë në zyrën e Ramadan Latifaj. Nuk e di se çfarë kanë biseduar aty. Tek terminali jemi kthyer para orës 12:00, dhe pas disa minutave e kam thirr Enliatin që të shkojmë për drekë.

Se a kishte pasur i akuzuari Shala kompjuter dhe printer në zyrën e tij, dëshmitari Tahirsylaj tha se në atë kohë në zyrën e tij në terminalin doganor në Ferizaj, Enliati nuk kishte poseduar kompjuter, kurse printeri kishte qenë i vendosur në korridor dhe i përbashkët.

Lidhur me sistemin “Asycuda”, ai tha se është një sistem i doganës ku gjendjen shënimet e operatorëve ekonomik dhe për mallrat që importohen apo eksportohen, që i deklarojnë palët, por nuk i kujtohej nëse këtë sisten e kishin edhe agjentët doganorë-shpediterët.

Në fund të kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Fitim Shabani, ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të ftohet Glauk Konjufca, me arsyetimin se ai kishte publikuar DUD-at, dhe se përmes tij, do të mund të vërtetohej se nga kanë dal dhe si kanë arritur deri tek ky person këto të dhëna.
Për këtë, kishte kundërshtime nga prokurori Maloku, i cili tha se ky dëshmitar nuk është relevant, sepse ai nuk kishte pas për obligim ruajtjen e sekreteve tregtare të dikujt, se dhe nuk mund ta din se kush i kishte nxjerrë këto të dhëna, andaj ka propozuar që kjo kërkesë të refuzohet.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, tha se për këtë gjë do të vendoset në ndërkohë.

Ndryshe, edhe në këtë seancë si në seancën fillestare, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Seanca e radhës është caktuar më 15 tetor 2019, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2019, Prokuroria Themelore në Ferizaj, po akuzon Ramadan Latifajn dhe Enliat Shala, se më 10 mars 2016, në Doganën Rajonale në Ferizaj, si persona zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me kërkesë të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Ramadan Latifaj kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e Isa Shitit dhe kishte printuar Deklaratën Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR” LL.C me seli në Prishtinë, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMW”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D me seli në Beograd, Republika e Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, të njëjtit akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale komunikimi i paautorizuar i sekretit tregtar nga neni 292 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se më datë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR” dhe atë numrin e DUD-it.

Ndërsa, Isa Shiti dhe Enliat Shala, akuzohen se më 16 mars 2016, afër vendkalimit Hani i Elezit, si person zyrtar dhe të i akuzuari Shala, doganier në Degën Rajonale të Doganës në Ferizaj, kurse i akuzuari Shiti shpediter në “Interevropa”, me seli në Han të Elezit, me pronar Arben Mustafa, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm.

Sipas aktakuzës, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që me kërkesën e të pandehurit Enliat Shala, i akuzuari Shiti e kishte hapur sistemin “Asyeuda” në kompjuterin e punës në zyrën e tij dhe kishte printuar DUD-in të importuesit “MAKCAR” LL.C, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës “BMW”, nga ndërmarrja “Delta Motors” D.O.D, me seli në Beograd të Serbisë, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmit për ndërmarrjen dhe pronarit të saj.

Me çka akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Isa Shiti dhe Enliat Shala akuzohen edhe për veprën tjetër se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “komunikimi i paautorizuar i sekretit tregtar”, nga neni 292 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, si persona zyrtarë i kishin komunikuar personave të tretë sekrete afariste të ndërmarrjes “MAKCAR”.