Fjalë Kyçe

Gjykata merr një vendim për tre policët që shoqëruan Pjetër Nrecajn për t`i marrë fëmijët nga nëna e tyre

Gjykata merr një vendim për tre policët që shoqëruan Pjetër Nrecajn për t`i marrë fëmijët nga nëna e tyre

Kanë pushuar hetimet ndaj tre policëve të Gjakovës, Pjeter Pergega, Nistret Prekadinin e Lendita Zeka, të cilët dyshoheshin për keqpërdorim detyre në rastin kur Pjetër Nrecaj kishte shkuar për të marrë fëmijët nga Valbona Nrecaj.

Gjykata merr një vendim për tre policët që shoqëruan Pjetër Nrecajn për t`i marrë fëmijët nga nëna e tyre

Gjykata Themelore e Gjakovës, me datën 15 gusht të këtij viti ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj tre policëve të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndaj tre policëve ishte ngritur kallëzim penal, pasi dyshohej se ata kundërligjshëm i kishin ndihmuar të dyshuarit Pjetër Nrecaj që t’i merrte fëmijët nën përkujdesje nga nëna tashmë e ndjerë Valbona Nrecaj.

Gjithë këtë ndërmjetësim këta policë e kishin bërë pa i njoftuar fare eprorët e tyre.

Hetimi ndaj tyre kishte nisur pasi Pjetër Nrecaj e kishte vrarë Valbon Nrecajn dhe vajzën e tyre të mitur, në shtëpinë e vëllezërve të saj ku ishte e strehuar Valbona.

Gazeta Insajderi, ka siguruar vendimin për pushimin e hetimeve ndaj Pjeter Pergega, Nistret Prekadinin e Lendita Zeka.

Pjeter Pergega, kishte shkuar bashkë me Pjetër Nrecaj tek shtëpia e vëllezërve të Valbona Nrecajt pasi thonë se Pjetër Nrecaj i kishte lajmëruar se ka pranuar një sms nga vajza e tij e cila i kishte kërkuar ta shihte.

Derisa polici tjetër Nisret Prekadini ka dëklaruar para prokurorit se me Nrecajn ishte takuar te hyrja e e ndërtesës dhe pasi që ai e ka njoftuar për një sms që ka marrë nga vajza e tij, informatat ia ka përcjellur policit Pjetër Përgegajt.

Sipas prokurorit Lendita Zeka, kishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se dy kolegët e saj, policë hetues në këtë rast, se me 21 qershor 2018 bashkë me Pjetër Nrecajn kishin shkuar në shtëpinë e vëllezërve të Valbona Nrecajt.

Në vendimin e gjykatës që e ka siguruar Insajderi, thuhet se pasi janë vlerësuar dëshmitë e dëshmitarëve është arritur të provohet se  policët e dyshuar nuk kanë kryer veprën penale me të cilën janë ngarkuar.

“Nga mbrojtja e të pandehurve – Pjetër Përgega, Nistre Prekadini e Lendita Zeka, nga dëshmitë e dëshmitarëve, e po ashtu edhe nga provat e tjera material të siguruara gjatë procedurës së hetimeve nuk u arrit që të provohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“E themi këtë ngase tek të pandehurit nuk ka ekzistuar dashja që të përfitojnë ndonjë dobi pasurore për vete apo personi tjetër apo që t`i shkaktojnë dëm personit tjetër dhe se këtu kemi të bëjmë më shumë me përgjegjësi disiplinore të tyre për veprimet e tyre”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Gjykata Themelore e Gjakovës e kishte shpallur fajtor Pejtër Ndrecaj, duke e dënuar me dënimit unik prej 24 viteve burgim.