Fjalë Kyçe

LDK: Qeveria e dorëhequr s’ka të drejtë të emërojë ambasadorë të rinj

LDK: Qeveria e dorëhequr s’ka të drejtë të emërojë ambasadorë të rinj

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qeveria në dorëheqje dhe presidenti Hashim Thaçi kanë bërë së fundmi emërime të kundërligjshme të ambasadorëve të rinj.

Sot televizioni publik raportoi se ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka vendosur të emërojë disa ambasadorë të karrierës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për emërimet e kundërligjshme të ambasadorëve, që së fundi i ka bërë Qeveria e dorëhequr. Me këto veprime, Ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me Kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe Presidentin Thaqi kanë degraduar edhe me tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në anën tjetër, sot Komisioni për Punë të Jashtme intervistoi deputetin Nait Hasani, që është propozuar për ambasador në Shqipëri. LDK ka bërë të ditur se anëtarët e këtij komisioni nga LDK-ja kanë refuzuar pjesëmarrjen.

“Veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik. Krahas saj, Lidhja Demokratike dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit në ikje PDK, AAK, NISMA dhe AKR për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politik një ditë para shpërndarjes së Kuvendit. Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë në të, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politik”, thuhet më tej në reagim.

Sipas LDK-së, “ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve”.

LDK ka thënë se nëse ajo vjen në qeveri, “do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së Kryeministrit”.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është shumë e rëndësishme që secili vendim të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me parimin e meritokracisë”, përfundon reagimi i Grupit Parlamentar të LDK-së.