Fjalë Kyçe

Pavarësisht krizës me universitetet publike, UP-ja s’e ka ndërmend të rrisë numrin e studentëve

Pavarësisht krizës me universitetet publike, UP-ja s’e ka ndërmend të rrisë numrin e studentëve

Mosakreditimi i universiteteve publike ka rritur brengën te maturantët, nëse do të mund të sigurojnë një vend për studime në Universitetin e Prishtinës.
Por, pavarësisht kësaj, universiteti më i madh publik në Kosovë, nuk e ka ndërmend ta rrisë numrin e të pranuarve në vitin e ri akademik, raporton KTV.

Prorektori për mësim, Hysen Bytyqi, ka thënë se për afatin e parë, tashmë gjithçka ka përfunduar, ndërsa për afatin e dytë të regjistrimeve nuk mund të flasin ende, pa i marrë parasysh instancat tjera siç është Senati i UP-së, si dhe pa miratimin e numrit të ri nga MASHT-i dhe Agjencia për Akreditim.
E, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, është herët të flitet për afatin e dytë, meqë ende nuk dihet nëse do të plotësohet numri i studentëve në UP, bazuar në numrin që e ka miratuar Ministria.
Drejtori i Organizatës për Cilësi në Arsim, ORCA, Rron Gjinovci, ka thënë se Qeveria duhet të sigurojë bursa për së paku një pjesë të studentëve nga komunat tjera.

Tri universitete publike dhe 4 kolegje private nuk u akredituan nga Bordi i Agjencisë për Akreditim dhe, rrjedhimisht, nuk mund të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019/2020.